Policia ka urdhër për arrestimin e Gjuriq-it nëse gjendet në Kosovë (Dokument)

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi ka marrë vendim për t’ia ndaluar për një kohë të pacaktuar hyrjen në Kosovë Marko Gjuriçit, drejtorit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Lajme

15/04/2016 19:17

Selimi ka konfirmuar përmes telefonit për Top Channel se, këtë vendim e ka marrë pasi zyrtari serb është futur të premten në territorin e Kosovës në mënyrë ilegale, pasi nuk i ishte dhënë leja nga autoritetet e Prishtinës.

Ai tha se, Gjuriq kishte kërkuar leje për hyrje në Kosovë vetëm disa orë para planifikimit të vizitës, që bie në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, e cila specifikon se serbët duhet të kërkojnë leje në Prishtinë së paku 24 orë para vizitës.

Selimi tha se, pas këtij vendimi, u mbetet autoriteteve të sigurisë që të veprojnë, ndërkohë Top Channel ka mësuar se policia ka marrë urdhër për arrestimin e Gjuriqit, nëse ai gjendet brenda territorit të Kosovës.