Policia: Janë ndërmarr të gjitha masat për zbardhjen e plagosjes së Vllasit

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ka konfirmuar  plagosjen e avokatit Azem Vllasi. Ndërsa thotë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet për zbardhjen e rastit.

Lajme

13/03/2017 09:47

“Sot rreth orës 08:00, policia  ka marrë informacionin se në rrugën “Hajdar Dushi” në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më tej bëhet e ditur se Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ndriçuar rastin.

“Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me vrasje në tentativë  ku  nga arma e zjarrit ka marrë plagë viktima: A. V, mashkull, 68 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg  veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, përfundon komunikata. /Lajmi.net/