Policia holandeze stërvit shqiponja për të sulmuar dronët ”terroristë”

Policia holandeze ka thirrur për ndihmë shqiponjat për të eliminuar sulmet e mundshme terroriste nga dronët. Ajo kreu sot disa teste përpara medias, pranë Hagës, që rezultuan pozitive.

Bota

07/03/2016 23:18

”Arma’ jo e zakonshme është testuar për disa muaj”, tha një zëdhënës i policisë, që shtoi se rezultatet e para ishin shpresëdhënëse.

Policia holandeze dhe autoritetet e luftës kundër terrorizmit kanë planifikuar që vendimin për përdorimin apo jo të këtyre shpendëve grabitqarë ta marrin verën e ardhshme.

“Kemi shfrytëzuar një zgjidhje të lirë teknologjike përballë një problemi të teknologjisë së lartë”, thotë Sjoerd Hoogendoorn, drejtor i kompanisë ”Guard from Above” që siguron shqiponjat.

Kjo kompani trajnon dhe trajton lloje të ndryshme shpendësh grabitqarë. Trajnimi i tyre, që lidhet me instiktin e presë, kërkon më shumë se një vit kohë.

“Për këta shpendë një dron është si një pre, që ata mund ta kapin në ajër dhe ta çojnë në një vend të sigurt”, thekson Hoogendoorn.

Media njofton se edhe policia britanike është interesuar për përdorimin e shqiponjave./atsh