Policia greke vret 2 shqiptarë

Nga një shkëmbim zjarri në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë mbetur të vdekur dy shqiptarë dhe një polic grek, raportojnë media greke.

Lajme

08/12/2013 09:01

Dy shqiptarë dhe një polic grek kanë mbetur të vdekur, si pasojë e një shkëmbimi zjarri, në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Mediat greke raportojnë se ngjarja ka ndodhur 20 minuta pas mesnatës, në zonën e Follorinës, në liqenin e Prespës së Vogël.

Tre policë grekë, të cilët kontrollonin liqenin e Prespës së Vogël, janë përplasur me dy shqiptarë, që ishin në një kasolle pranë liqenit, duke peshkuar.

Mësohet se një prej policëve ka shkuar në kasollen e shqiptarëve, por është qëlluar nga këta të fundit, duke mbetur i vdekur. Më pas efektivët e policisë greke kanë qëlluar me armë ndaj shqiptarëve, duke i lënë të dy të vdekur.

Sipas informacioneve të para, polici i vdekur është një 43-vjeçar, babai i tre fëmijëve. Nga shkëmbimi i zjarrit janë plagosur edhe dy policë të tjerë grekë. Identiteti i shqiptarëve të vdekur, ende nuk bëhet i ditur. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po heton për shkaqet dhe zbardhjen e plotë të këtij konflikti, që çoi në vdekjen e tre personave.

 

(Shekulli)