Policia greke, raporte për drogën nga Shqipëria

Policia greke njoftoi përmasat e trafikimit të lëndëve narkotike për vitin e kaluar, ku në zonat fqinje me Shqipërinë shihet aktiviteti më i shtuar kriminal. Sipas të dhënave policore gjatë vitit 2014 policia greke bllokoi në gjithë territorin e vendit rreth 19.600 kilogramë marijuanë ku rreth 50% e kësaj sasie është sekuestruar në Rajonin e Epirit, fqinj me Shqipërinë.

Lajme

18/09/2015 19:14

Policia greke flet për një rritje  në përmasa të mëdha të trafikut të heroinës,  sasitë e së cilës janë bllokuar kryesisht  në zonë e Atikës dhe Epirit . Vetëm gjatë vitit 2014 policia bllokoi rreth 2.528 kilogramë  heroinë  në këto dy rajone trafik që sipas vetë polcisë ka shënuar rritje të konsiderueshme.

Policia greke  vëren se gjysmën e dytë të vitit 2014  pati një ulje të trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria për shkak  të goditjes së vatrave të kultivimti dhe trafikimit  në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, fqinj me zonat verirore greke. Kjo ulje ,sipas policisë greke në Rajonin e Epirit është në rreth 71% të sasisë së trafikuar të marijuanës.

Ndërkaq, policia greke  gjatë vitit 2015 po gjen raste të shtuara të kultivimit të marijuanës në zonat afër kufirit me Shqipërinë. Kjo dukuri e shfaqur këtë vit shënon kultivim të marijuanës në brezin kufitar të Greqisë  me Shqipërinë nga shtetas si të dyshuar shqiptarë dhe kultivim të marijuanës nga shtetas grekë në zonat më në thellësi të territorit grek.

Policia thotë se ka arritur të zbulojë disa vatra të mbjella me marijuanë   në zonën e kufirit tokësor me Sarandën, Gjirokastrën dhe Korçën, ku shtetas  si të dyshuar  nga Shqipëria  kanë depërtuar brenda kufirit grek   dhe kanë ushtruar këtë aktivitet.

Dy ditë më parë policia greke bllokoi një shtetas greke në zonën bujqësore të Eleuzës, në afërsi të Janinës (rreth 80  km nga qyteti  i  Gjirokastrës) të cilit iu gjetën  të mbjella në një  serë  bimë marijuana.

Policia greke  tha se sekuestroi edhe një sasi  farash marijaune  për mbjellje dhe një sasi lënde narkotike të presuar. Sipas analistëve kriza ekonomike në rajonet ndërkufitare shqiptare dhe greke  që po shoqërohet me papunësi të lartë  po i bën fermerët të priren drejt këtyre aktiviteteve kriminale. Kultivimi i shtuar vijon tu japë përmasa rrjeteve të trafikantëve  që prej vitesh vepronin në këto zona herë me trafikun e marijuanës,herë me trafikun e  refugjatëve dhe herë me kontrabandimin e makinave luksoze të vjedhura në vendet perëndimore./VOA/