Policia greke kap dy shtetas shqiptarë me 46 kg drogë

Një operacion i përbashkët i Policisë Antidrogë të Shqipërisë me Policinë Greke ka rezultuar me kapjen e dy shtetasve shqiptarë të cilëve u janë gjetur 46 kilogramë e 140 gramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Lajme

23/09/2018 10:01

Në pranga kanë rënë dy shtetas nga Fieri e Berati.

Sipas Policisë së Shtetit, finalizimi me sukses i operacionit u arrit si rezultat i bashkëpunimit ndërkufitar me Policinë Greke falë shkëmbimit në kohë të informacioneve të ndërsjellta.

Operacioni është realizuar gjatë ditës së djeshme në zonën e gjelbër të kufirit mes dy vendeve.

Nga Policia Greke u kapën: M.B., 23 vjeç, banues në Fier dhe S.M., 25 vjeç, banues në Berat.

Me këtë rast janë sekuestruar dy çanta të shpinës ku brenda tyre kishte 46 kilogramë e 140 gramë lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Operacioni ka nisur 48 orë më parë nga Policia Kufitare e Livadhjasë Sarandë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë, ku gjatë patrullimit në kufirin jeshil , Policia Kufitare ka konstatuar shtetasit që po transportonin lëndën narkotike në drejtim të shtetit Grek.

“Menjëherë është njoftuar Policia Kufitare Greke dhe Antidroga, ku në bashkëpunim e koordinim të plotë mes shërbimeve tona dhe Policisë Greke është mbajtur nën vëzhgim lëvizja e tyre, ku është finalizuar me kapjen e tyre në vendin e quajtur “Koritiani Thesproti”, Igumenicë Greqi”, njofton Policia e Shtetit.