Policia godet fajdexhinjtë në Gjakovë

Pesë veta janë arrestuar në Gjakovë, ndërsa një prej tyre është ndaluar pasi dyshohet se ka ushtruar veprimtari të paligjshme të fajdeve. Janë konfiskuar një numër armësh të gjetura gjatë kontrollit.

Lajme

11/12/2013 15:03

Policia e Kosovës i ka vënë prangat pesë personave të cilët dyshohen se janë marrë me aktivitet të paligjshëm të fajdeve dhe për armëmbajtje pa leje.

Siç bën të ditur Policia e Kosovës, si rezultat i hetimeve disa javore të kryera nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, sot rreth orës 06:00, në bazë të urdhrit për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës është zbatuar plani operativ policor, me ç’rast janë kryer kontrollime në katër lokacione–shtëpi banimi dhe janë arrestuar pesë persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘fajde’ nga neni 343 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Plani operativ është zbatuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, të mbështetur nga Divizioni i Njësive Speciale, Sektori i Hetimeve të regjionit të Pejës dhe stacioni policor i Gjakovës, ku janë arrestuar pesë persona me dyshim e bazuar se kanë kryer veprën penale ‘fajde’ dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ka thënë Policia.

Gjatë kontrollit, në cilësinë e provave, janë konfiskuar edhe një revole “TT” cal. 7.62 mm, një revole “Zastava”, cal. 7.65 mm, dy revole “Bereta”, cal. 7.65 mm, një pushkë e llojit karabinë, një pushkë gjuetie, cal. 12 mm, 151 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dokumente të ndryshme.

“Të arrestuarit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, dhe pas intervistës në konsultim me prokurorin është ndaluar për 48 orë njëri nga të dyshuarit, kurse të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatën e Policisë.