Policia e shpall shtatorin muaj të sigurisë

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Policia e Kosovës ka filluar aktivitetin "Shtatori- Muaji i sigurisë".

Lajme

07/09/2014 14:56

Policia e Kosovës në rrugët urbane dhe në ato rajonale ka caktuar Njësite Policore të Komunikacionit Rrugor, të cilat do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut.

Zëdhënësi i  Policinë e Kosovës Brahim Sadriu, tha se aktivitetet në muajin e sigurisë janë fokusuar në vetëdijesimin e qytetarëve dhe nxënësve sa i përket rregullave në trafikun rrugor. Ndërkaq pas 15 shtatorit do të ketë aktivitete me nxënës në terren në mënyrë që ata të njihen me afër me rregullat e trafikut rrugor.

Ai tha se të gjitha komandat rajonale kanë vendim që të mbajnë orë këshilluese nëpër shkolla në mënyrë që nxënësit të kenë njohuri më të gjerë për mbrojtje në komunikacion.

Sadriu theksoi se muaji i sigurisë do të fokusohet edhe tek fëmijët të cilët për herë të parë do të shkojnë në shkollë dhe të cilët nuk kanë njohuri për trafikun rrugorë . Policia e Kosovës do të shpërndaj edhe fletushka të ilustruara me fotografi se si fëmijët duhet të kalojnë rrugën dhe si të inkuadrohen në trafik si këmbësorë. Ndërkaq nxënësit e shkollave fillore të kryeqytetit thonë se afër disa shkollave nuk ka vendkalime për këmbësorë.