Policia e Kosovës zbulon laborator të drogës në Zubin Potok/ Foto

Njësia e Antidrogës e Policisë së Rajonit të Veriut të Mitrovicës ka zbuluar sot një laborator që shërben për përpunimin e narkotikëve të ndryshëm.

Lajme

05/06/2018 23:12

Siç merr vesh KALLXO.com, gjatë kontrollit në fshatin Qukiq të komunës se Zubin Potokut, Njësia e Antidrogës ka hasur edhe në një sasi të madhe të barnave, tabletave, si dhe ka gjetur 4 armë të gjata automatike dhe një sasi të fishekëve.

Po ashtu janë gjetur tableta të ndryshme për prodhimin e drogave sintetike pas vënies së disa acideve.

Ky laborator dyshohet se ka shërbyer për përpunimin e drogave si morfina dhe heroina.

Cak i bastisjes kanë qenë një shtëpi në këtë fshat dhe objektet e tjera të shtëpisë, si stalla e të ngjashme.

Të gjitha këto hapësira kanë shërbyer për prodhimin e substancave të ndryshme narkotike.

Këto janë fotot e siguruara nga KALLXO.com nga aksioni i Policisë së Kosovës në këtë fshat të Zubin Potokut.