Policia e Kosovës, projekt të përbashkët me EUROPOL-in

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni priti zyrtarë të EUROPOL-it me të cilët diskutoi për një projekt të përbashkët. Bëhet e ditur se Policia e Kosovës do të përfshihet në një projekt të përbashkët me EUROPOL-in.

Lajme

20/04/2017 10:50

“Ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni, priti në takim zyrtarët, z. Jari Liukku dhe z. Roberto Codesal nga Departamenti i Operacioneve të EUROPOL-it, të cilët po qëndrojnë në Prishtinë, në kuadër të një projekti të përbashkët me Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Më tej, sqarohet se përveç për projektin e përbashkët me Policinë e Kosovës, u bisedua edhe për bashkëpunimin e mëtejshëm.

“Në këtë takim ministri Hyseni dhe zyrtarët e EUROPOL-it biseduan për modalitetet e bashkëpunimit të mëtejmë, duke e vlerësuar bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm mes Policisë së Kosovës dhe EUROPOL-it”, shpjegon komunikata.

Sipas komunikatës ministri Hyseni u tha zyrtarëve të EUROPOL-it se pasi rregullativa e re e kësaj organizate të sigurisë të hyjë në fuqi, të fillohet hartimi i një draft-marrëveshjeje bashkëpunimi.