Policia e Kosovës me plan konkret për zgjedhje

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka deklaruar se Policia e Kosovës i ka kryer me kohë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore, përmes hartimit dhe implementimit të planit operativ policor për ofrimin e sigurisë para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.

Lajme

04/06/2014 18:47

Sipas Kelanit, qëllimi strategjik i planeve policore për ofrimin e sigurisë gjatë tërë procesit zgjedhor ka të bëj kryesisht me sigurinë e përgjithshme, mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmërinë e ligjit.

“Do të bëhet shtimi i masave të sigurisë në perimetrin e caktuar ku është përgjegjëse policia për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas përfundimit te procesit zgjedhor, si dhe siguria dhe përcjellja e materialit sensitiv”.

“Gjithashtu do të bëhet edhe ndërmarrja e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundër ligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë probleme ose jo stabilitet në pengimin e procesit zgjedhor”, ka thënë Kelani.

Ai ka theksuar për telegrafi.com se policia do të punojë në parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme, që në çfarëdo mase do të rrezikonin qetësinë publike dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, në bashkëpunim të plotë edhe me të gjitha institucionet tjera relevante të angazhuara në këtë proces.

Ndryshe, proceset zgjedhore në Kosovë vazhdimisht janë shoqëruar me parregullsi dhe problemeve të vazhdueshme.