Policia e Kosovës jep detaje për incidentet në pikat e shitjes së biletave

Pasi filloi shitja e biletave për ndeshjen e ardhshme të Kosovës, radhët e gjata u krijuan nga adhuruesit e sportit.

Sport

08/10/2018 20:08

Biletat u shitën në pikat e IPKO-së në të gjitha qendrat e mëdha të Kosovës, shkruan lajmi.net

Radhët e gjata u krijuan nga të rinj e të vjetër, të gjithë këta të entuziazmuar e të gatshëm ta përkrahin Kombëtaren e Kosovës.

Megjithatë, pamje jo të mira erdhën në fund. Diku rreth orës 18:30, qytetarët e revoltuar pas pritjeve të gjata, tentuan të thyejnë dyert e pikave të IPKO-së.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë për Lajmi.net se situata doli nga kontrolli për shkak të numrit të madh të kërkesave për blerjen e biletave.

Ai ka shtuar më tutje se në të njëjtën kohë janë rrezikuar personeli dhe pjesa tjetër që po kërkonin biletat.

“Rreth orës 18:00 policia ka marre informacionin se ne tri pikat e shitjes se biletave situata ka dale nga kontrolli për shkak te numrit te madh te kërkesave te blerësve dhe ne te njëjtën kohe janë rrezikuar personeli si dhe pjesa tjetër qe po kërkonin biletat. Policia ka dale menjëherë në vendin e ngjarjes dhe duke parë situatën e krijuar mungesën e përgatitjeve adekuate për te përballuar një fluks te tille nga ana e pikave te shitjes si dhe rrethanat qe përbënin një rrezik për sigurinë e personelit dhe personave ne atë perimetër, ka kërkuar nga ta qe te largohen menjëherë nga aty deri ne një moment tjetër kur do te krijoheshin kushte optimale dhe rrethana te sigurta”, ka thënë Borovci.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se disa nga personat që ishin duke pritur kanë refuzuar t’i bindën urdhrave të policisë duke shfaqur rezistencë dhe agresivitet.

Me këtë rast, dy persona u arrestuan.

“Disa nga personat qe ishin duke pritur kane refuzuar ti binden policisë dhe kane filluar te shfaqin agresivitet dhe veprime te dhunshme duke dëmtuar dhe thyer xhamat ne pika te shitjes. Me këtë rast, për shkak te mos bindjes se urdhrave te policisë dhe për te futur situatën nen kontrolle, dy persona janë arrestuar dhe te njëjtit janë proceduar me tej. Situata është futur nen kontrolle ndërsa mbetet qe organizatoret me kohe te krijojnë kushtet adekuate për shitjen e biletave ne rrethana te sigurta”, përfundoi Borovci.

Ndeshja Kosova – Malta do të zhvillohet me datë 11/10 dhe ka zgjuar interesim të madh. /Lajmi.net/