Policia: Disa mjete të gjetura në VV konsiderohen vdekjeprurëse (Video)

Policia e Kosovës sot ka ekspozuar një sasi të mjeteve që janë gjendur dje gjatë bastisjeve të njësiteve speciale të Kosovës në zyrat qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme

29/11/2015 15:48

Mes gjërave që janë gjendur në zyrat e Vetëvendosjes ka pasur shufra metalike, mjetë të mprehta për shpim të gomave, gazmaska, gaz lotsjellës, filikaqa, radiolidhje për komunikim, plumba gome, ngjyrë, substancë në formë pluhuri për të cilën priten ekzaminimet për ta përcaktuar përmbajtjen, si dhe gjëra të tjera.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës,Baki Kelani ka thënë se mjetet e konfiskuara dje në zyrat e Vetëvendosjes, hynë në kategorinë A të armëve të zjarrit dhe në disa raste disa prej këtyre mjeteve mund të konsiderohen vdekjeprurëse.

“Mjetet të cilat janë konfiskuar nga Policia e Kosovës janë mjete që disa prej tyre hynë në kategorinë A të armëve të zjarrit, dhe janë mjete mjaft të rrezikshme duke përfshirë edhe pajisjet tjera që janë konfiskuar si dëshmi dhe si prova materiale. Ju i patë edhe vetë, në bazë të incizimeve që me të vërtetë janë mjete të rrezikshme që në disa raste nëse përdoren mund të konsiderohen si mjete vdekjeprurëse”, ka thënë Kelani.

Ndërsa, sa i përket numrit të arrestuarve dje, Kelani ka thënë se Policia e Kosovës gjatë ndërhyrjeve policore ka arrestuar 97 persona, prej të cilëve 11 janë ndaluar për 48 orë, 53 me procedurë të shpejt janë dërguar për kundërvajtje, 26 janë liruar me procedurë të rregullt dhe 7 prej tyre janë liruar si të mitur.

“Ashtu siç është bërë e ditur, Policia e Kosovës gjatë gjithë zhvillimeve të djeshme ka shoqëruar për në stacionet e policisë 97 persona, në cilësinë e personave të dyshuar për përfshirje në raste të ndryshme, duke përfshirë ato penale , kundërvajtje, prej të cilëve disa janë liruar. Mund të them se Policia e Kosovës nga 97 persona sa i ka shoqëruar në stacionet policore, më pastaj me vendim të prokurorit kompetent janë ndaluar 11 persona për 48 orë nën dyshimet për përfshirje në vepër penale. 53 prej tyre janë dërguar me procedurë të shpejt për kundërvajtje, 26 prej tyre janë liruar me procedurë të rregullt, ndërsa 7 nga ta janë liruar si të mitur. Pra këto kanë qenë vendime të marrura nga organet e drejtësisë lidhur me personat e shoqëruar nga Policia e Kosovës në stacionet policore”, ka theksuar Kelani.

Sa i përket arrestimit të Albin Kurtit dhe dërgimit të tij në burgun e sigurisë së lartë, zëdhënësi i policisë ka thënë se Policia e Kosovës e ka kryer detyrën e saj në bazë të urdhër arrestit, ndërsa vendimi se ku deputeti Kurti do ta vuaj dënimin prej 30 ditësh është çështje që i përket organeve të drejtësisë.

“Çfarë mund të themi është se Policia e Kosovës gjatë gjithë manifestimit ka qenë aktive në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, dhe në bazë të vlerësimeve të saj pas përfundimit të gjithë manifestimit ka ndërmarrë veprimet për shoqërimin e tij dhe dërgimin para organeve të drejtësisë siç parashihej me urdhërarrest. Sa i përket vendimit se në cilin organ të drejtësisë të dërgohet për vuajtje të dënimit është çështje që u përket organeve të drejtësisë”, ka thënë Kelani.

Për dy deputetët në arrati të Vetëvendosjes, Kelani ka thënë se “urdhërarrestet janë valide, dhe Policia e Kosovës në bazë të vlerësimeve të saj dhe në momentet kur të njëjtit i takon, është e obliguar t’i zbatojë këto urdhërarreste dhe ne do t’i zbatojmë.”

Ndërkaq, forcat e shtuara policore në kryeqytet dhe në Kosovë, Kelani i ka arsyetuar me rrezikun e përgjithshëm nga terrorizimi jo vetëm në Kosovë. Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë dhe është gati për të ndërhyrë në rast të ndonjë sulmi terrorist në Kosovë. /kp

YouTube player