Policia arreston prerës ilegal të drunjve në Klinë

Të dyshuarit janë kapur të mërkurën gjatë një operacioni, ndërsa policia i kishte zënë në flagrancë me traktorë dhe automjete të tjera, duke transportuar masën drunore.

Lajme

14/01/2014 12:42

Policia e Kosovës në rajonin e Klinës ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar pasi gjeti se kishin prerë ilegalisht drunj.

Të dyshuarit janë kapur të mërkurën gjatë një operacioni, ndërsa policia i kishte zënë në flagrancë me traktorë dhe automjete të tjera, duke transportuar masën drunore, raporton RFE.

“Në këtë aktivitet janë inicuar gjashtë procedura dhe janë arrestuar 6 persona të dyshuar për transportim ilegal të masës drunore ku edhe prokurorët kanë mbikëqyrë punën  e policisë në inicimin këtyre procedurave”, thuhet në komunikatën e policisë rajonale të Pejës.

Sipas këtij njoftimi, pylltarët që i janë përgjigjur ftesës së policisë, kanë matur masën drunore të konfiskuar, e cila del të jetë 12 metra kub dru.

Të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit dhe me vendim të Prokurorit shtetit janë liruar në procedurë të rregullt.