Policia arreston pesë persona që ishin në kërkim

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona që ishin në kërkim.

Lajme

22/01/2019 10:03

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka arritur që t’i arrestojë pesë persona të cilët ishin në kërkim, raporton lajmi.net.

Në ora 03:45 e mëngjesit të djeshëm në pikëkalimin kufitar në Merdare, Policia e Kosovës me urdhëresë të gjykatës ka arrestuar një person dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në qendrën korrektuese të Burgut në Dubravë.

Po ashtu edhe në pikëkalimin kufitar në Han të Elezit në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar është arrestuar një person në ora 18:45 dhe i njëjti është dërguar në mbajtje, raporton më tutje lajmi.net.

Policia gjithashtu në Kaçanik në ora 09:50 gjatë ditës së djeshme në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan është arrestuar një person dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në Burgun e Gjilanit.

Personi tjetër është arrestuar në rrugën “Sharri”, në Fushë Kosovë gjatë ditës së djeshme dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës.

Po ashtu për vuajtje të dënimit është dërguar në Burgun e Dubravës edhe një person i cili ishte në kërkim.

Ky person me urdhër të Gjykatës Themelore të Ferizajt është arrestuar në këtë qytet gjatë ditës së djeshme në ora 06:40. /Lajmi.net/