Policia arreston 9 persona të dyshuar për fajde

(E Plotësuar) Ka përfunduar aksioni i Policisë së Kosovës i nisur sot në rajonin e Mitrovicës, ndaj personave të dyshuar për fajde. Nga ky aksion janë arrestuar 9 persona dhe janë konfiskuar vetura, para, armë zjarri, etj.

Lajme

11/12/2014 10:03

Policia e Kosovës ka arrestuar 9 persona të dyshuar për huazimin e parave me fajde në rajonin e Mitrovicës, në një aksion të marrë sot në orët e para të mëngjesit.

Përveç të arrestuarve, Policia ka sekuestruar nëntë vetura, më shumë se 6 mijë euro, granatë dore, armë zjarri, armë të ftohta, dylbi, celularë, lap-top etj.

Zëdhënësi rajonal i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, ka thënë se në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, të enjten në mëngjes është realizuar me sukses operacioni policor për bastisje në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në pesë lokacione të ndryshme, përfshirë qytetet e Mitrovicë dhe Skenderajt, me ç’rast nga dhjetë të dyshuar nëntë nga ta janë arrestuar.

“Ecuria e hetimeve të kësaj vepre penale do të vazhdojë edhe për të dyshuar të tjerë të mundshëm, ndërsa të arrestuarit e dyshuar, në prani të avokatëve, u janë nënshtruar procedurave intervistuese”, ka thënë mes tjerash.

—————————————–

Nga aksioni policorë i organizuar sot në rajonin e Mitrovicës, janë arrestuar tetë persona të dyshuar për huazim të pareve me fajde. 

Këtë e ka bërë të ditur edhe zëdhënësi i PK-së për rajonin e Mitrovicës,  Avi Zahiti, i cila ka thënë se bastisja është duke u zhvilluar në pesë lokacione në Komunë e Mitrovicës dhe Skenderajit.

“Bastisja është duke u zhvilluar në pesë lokacione, prej tyre katër në Mitrovicë dhe një në komunën e Skenderajt”, ka thënë zëdhënësi rajonal i Policisë, Avni Zahiti.

Ndërsa, sipas Zahitit ky operacion policorë është zhvilluar mirë dhe nuk është raportuar për ndonjë rezistencë nga të arrestuarit.  

—————————————-

Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion në rajonin e Mitrovicës, i cili si cak ka personat që merren me fajde.

Një aksion i gjerë policor ka nisur mëngjesin e sotëm në lokalitete të ndryshme të rajonit të Mitrovicës dhe është duke vazhduar ende, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Sipas këtyre burimeve, aksioni që ka filluar rreth orës 6:00 të mëngjesit në Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri nuk ndërlidhet me aksionin e djeshëm dhe bëhet fjalë për kapjen e një rrjeti fajdexhinjsh në këtë rajon, ndërsa deri tash janë arrestuar gjashtë persona.

KosovaPress ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka konfirmuar aksionin, por nuk kanë dhe asnjë detaj.

“ Ende nuk kam ndonjë informacion për momentin, për çdo gjë do t’ju informojmë më vonë”, ka thënë Zahiti për Kosovapress.