Polici konfirmon: Uniformat e reja nuk po i bart askush, arsyeja po mbahet sekret (Video)

Pas reagimit të zyrës për informim të Policisë së Kosovës, se informatat e KosovaPress, në lidhje me pranimin e uniformave nga ana e policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës dhe mos bartjen e tyre nga pjesëtarët e saj atje nuk është i vërtetë, KosovaPress sjell fakte të reja për të konfirmuar vërtetësinë e lajmit në lidhje me mos bartjen e uniformave të reja nga policët në veri të vendit.

Lajme

13/12/2015 11:27

 

Uniformat e reja të Policisë të cilat përmbajnë simbole të shtetit të Kosovës, dhe të cilat janë dorëzuar më 26 nëntor të këtij viti për 35 pjesëtarë të Njësitit për Reagim të Shpejtë (NJRSH) në kuadër të Drejtorisë së Policisë së Kosovës në veri, vazhdojnë të mos barten në atë pjesë.

Pranimin e këtyre uniformave, përveç shefit të operativës në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut Zhelko Bojiq, e ka konfirmuar për KosovaPress edhe njëri nga pjesëtarët e këtij Njësiti, i cili ka folur në kushte të anonimitetit të plotë.

Sipas policit, uniformën e re me simbole të shtetit të Kosovës e kanë marrë gjithsej 35 pjesëtarë të NJRSH-së, por nuk po e bartin për shkak se siç tha ai, nuk kemi marr urdhër nga Operativa Regjionale. Ai theksoi se arsyeja për mos bartjen e këtyre uniformave nuk po u tregohet policëve dhe po mbahet sekret nga Operativa Regjionale në veri.

Më poshtë po e publikojmë bisedën që KosovaPress e ka zhvilluar me njërin nga policët në veri të Kosovës, që vjen nga nacionaliteti serb.

KosovaPress: Në cilën njësit jeni?

Polici i Kosovës:Jam në njësitin e Reagimit të rajonit të Mitrovicës Veriore.

KosovaPress: A jeni pajisur me uniformat e reja me stemën e Republikës së Kosovës?

Polici i Kosovës:Po, i kemi marr më 26 nëntor 2015.

KosovaPress:A jeni duke i bartur?

Polici i Kosovës:Jo.

KosovaPress:Pse?

Polici i Kosovës:Sepse akoma nuk kemi marr urdhër nga Operativa Regjionale që t’i bartim këto uniforma për shkak se nuk ë shtë e sigurt në veri me simbole të Republikës së Kosovës.

KosovaPress:Ju kanë dhenë uniformat dhe nuk i përdorni, për çfarë arsye, çka mendoni?

Polici i Kosovës:Kjo po mbahet sekret, nuk po lejojnë të barten ato uniforma me stemën e Republikës së Kosovës në veri të Kosovës, kemi marrë uniformën komplet, këmishët, pantallonat dhe çizmet.

 

KosovaPress:Sa policë i keni marrë uniformat e reja?

Polici i Kosovës:35 pjesëtarë të policisë.

Ndryshe, në lajmin e botuar dje nga KosovaPress në lidhje me këtë temë, burime të Agjencisë tonë nga stacioni i Policisë në Zveqan, kanë bërë të ditur se vendimi i prerë për mos bartjen e këtyre uniformave me simbole të Republikës së Kosovës në veri, është marrë në Kralevë të Serbisë, ku vazhdon të jetë shtabi i përgjithshëm i MUP-it serb që është përgjegjës për qarkun e Mitrovi cës dhe komunave tjera veriore. /Kp

YouTube player