Polici i njohur si “Tarkani”, i përfshirë në gjuajtjen me armë në Prishtinë

Rreth orës 20:00  janë dëgjuar të shtëna armësh në Prishtinë, konkretisht në rrugën “Vicianum” të lagjes “Arbëria”.

Lajme

02/11/2018 23:24

Polici Avni Berisha, i njohur me nofkën “Tarkani”, është përfshirë në këtë incident.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net avokati, Naim Rudari, i cili ka thënë se dikush ka gjuajtur me armë në drejtim të klientit të tij, Avni Berisha, përderisa ky ishte afër banesës së tij.

Berisha i është përgjigjur me armë zyrtare, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

“Po është e vërtetë që ka ndodhur një gjuajtje me armë sonte. Janë dy raste të ngjashme. Me datë 24 të muajit paraprak edhe sonte te banesa e policit Avni Berisha. Me të arritur te banesa, Avniu e ka parë një person, i cili ka gjuajtur me armë në drejtim të tij edhe ky njëkohësisht i është përgjigjur me armën e tij zyrtare, pra si polic, mirëpo personi që ka qenë aty ka ikur dhe nuk është arritur që të identifikohet dhe të arrestohet. Sipas Avniut besohet që ka qenë personi i njëjtë që e ka sulmuar edhe herën e kaluar”, ka thënë avokati Rudari.

Edhe zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, ka konfirmuar për lajmi.net, se ka pasur gjuajtje me armë, por që nuk ka dhënë detaje për rastin në fjalë. /Lajmi.net/