12 pjesëtarë të Policisë nga rajoni i Prishtinës dhe 3 nga ai i Prizrenit kanë pasur fatin të jenë të parët që i janë nënshtruar trajnimit.
Azem Sadiku, instruktor i Njësisë së motoçikletave në Policinë e Kosovës, tha për Kallxo.com se trajnimi për pjesëtarët e policisë do të zgjasë pesë javë dhe ndahet në dy faza.
“Faza e parë përmban ligjërata sipas planprogramit i cili është i miratuar nga Policia e Kosovës: ligjërata në klasë, pastaj fillojmë tri javë në poligon. Java e katërt është në pistë, ku kadetët mësohen edhe me shpejtësinë mbi 50 km/h me e drejtu motoçikletën, ndërsa java e pestë është trajnim në qytet”, tha Sadiku.
Ai tregoi edhe për numrin e skuterëve që janë blerë nga Policia e Kosovës të cilët do të përdoren nga policët e rajonit të Prizrenit dhe Prishtinës që po marrin pjesë në trajnim.
“Policia e Kosovës ka blerë 15 skuterë të llojit Piaggio, që janë të përshtatshëm për punën që do ta bëjnë brenda qyteteve të tyre”, u shpreh Sadiku.
Por si do të vlerësohen pjesëmarrësit në këtë trajnim?
Testi për këta pjesëtarë të policisë përmban gjithsej 100 pikë. Një gabim i tyre, një rrëzim i konit apo një vendosje e këmbës në tokë gjatë ekzekutimit të ushtrimeve rezulton me heqje të pesë pikëve.
Policët të cilët kalojnë testin, do të vazhdojnë trajnimin e tyre edhe dy javë në qytet në mënyrë që të përballen me vështirësitë në komunikacion.