Pogba synon ta fitojë Botërorin

Paul Pogba e pret me padurim fillimin e Botërorit. Ylli i Juventusit synon të shkëlqejë në Brazil dhe ta ndihmojë Francën që ta fitojë këtë kompeticion, i cili do të mbahet muajin e ardhshëm.

Sport

26/05/2014 09:54

Paul Pogba thotë se synon ta fitojë Botërorin me Francën këtë verë dhe se mezi pret që ky kompeticion të fillojë.

21 vjeçari kishte triumfuar me Les Bleus në Botërorin U-20 në vitin 2013 dhe ishte shpallur futbollisti më i mirë i turneut të mbajtur në Turqi.

Tash, mesfushori i Juventusit është i vendosur ta përsërisë atë eksperiencë me ekipin senior në Brazil dhe është entuziast që ta testojë veten kundër yjeve të futbollit botëror.

“Për mua, është një ëndërr të luaj në Botëror. Shpresoj të shkojmë larg dhe ta fitojmë kompeticionin. Kam luajtur në Botëror verën e kaluar, kështu që jam mësuar sadopak se në çka ngjason”, deklaroi ish futbollisti i Manchester Unitedit për Telefoot.

“Po mundohem ta mbaj moralin lartë, duke luajtur me Playstation dhe futboll në tabelë. Edhe kur isha fëmijë po mendoja se një ditë do të doja të luaj në Botëror. Jam shumë i ngazëlluar”, vazhdoi Pogba.

Ai shton se ka bërë përparime të mëdha këtë vit, pasi luajti shumë me Juventusin, një gjë të cilën nuk ishte mësuar ta bënte në të kaluarën.

Franca, e cila e fitoi Botërorin në vitin 1998, bën pjesë në Grupin E së bashku me Zvicrën, Ekuadorin dhe Hondurasin.