Pogba dëshiron La Ligën

Mesfushori i Juventusit, Paul Pogba dëshiron të transferohet në La Ligë.

Sport

27/02/2016 13:33

Paul Pogba e ka vendosur tashmë të ardhmen e tij.

Sipas mediave britanike, mesfushori francez i Juventusit ka refuzuar të gjitha ofertat që kanë mbrritur në drejtim të tij nga klubet më të mëdha të Premier League-s angleze pasi dëshiron ta vazhdojë karrierën në Spanjë.

Për 22-vjecarin Manchester City, Manchester United dhe Chelsea i kanë shpallur luftë njëra-tjetrës por pavarsisht interesimit nga ishulli, Pogba dëshiron vetëm La Ligan. Dy ekipet spanjolle që duan ta kenë në gjirin e tyre, lojtarin janë Reali i Madridit dhe Barcelona, përcjell “SuperSport.al”.

Los Blancos me kërkesë të trajnerit të tyre Zinedine Zidane kanë nisur nga puna për të bindur Juventusin të lejojë kalimin e mesfushorit në Santiago Bernabeu, ndërkohë që drejtuesit e Barcelonës shikojnë te Pogba zëvendësuesin ideal të Sergi Busquets.

Te Reali përvec Zidane, 22-vjecari do të gjente edhe dy shokët e tij në kombëtaren franceze, Benzema dhe Varane, ndërkohë që te Barcelona do të kishte lluksin të luante me lojtarë të tillë si Iniesta, Rakitic, Messi, Suarez e Neymar.

Megjithatë nëse duan të bëjnë të tyrin lojtarin, Barca dhe Reali duhet të përgatisin një cek të bardhë që kap shifrën e 100 milionë Eurove pasi për një vlerë më të ulët vështirë se bardhezinjtë do të uleshin në bisedime.

Los Blancos apo Bluagranat se cila skuadër do të triumfojë në garën për të firmosur me Pogba, këtë do ta mësojmë verën e ardhshme.