Podujeva bëhet me spital të ri

Qytetarët e komunës së Podujevës tani e tutje do mund të marrin shërbime mjekësore në spitalin e këtij qytetit.

Lajme

24/05/2018 11:08

Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Agim Veliu në llogarinë e tij në ‘Facebook’.

Sipas Veliut, kushtet në të cilat ka funksionuar deri më tani reparti i Maternitetit në QKMF, kanë qenë jo të mira, prandaj fillimisht në objektin e ri e kanë bartur këtë repart.

Postimi i Plotë i kryetarit të Komunës së Podujevës Agim Veliu:

Të dashur qytetarë,

Kam kënaqësinë ta ndaj me ju lajmin e shumëpritur, se sot ka filluar funksionimi i Spitalit të Podujevës.

Kushtet në të cilat ka funksionuar deri më tani reparti i Maternitetit në QKMF, kanë qenë jo të mira, prandaj fillimisht në objektin e ri kemi bartur këtë repart.

Në të ardhmen do t’i aktivizojmë edhe repartet e tjera bashkë me kompletimin e aparaturës së nevojshme, për të cilën edhe është ndarë buxhet nga Ministria e Shëndetësisë, që pritet të realizohet gjatë këtij viti.

Fillimi i punës së Spitalit të ri është një sukses dhe e arritur për shëndetësinë në Llap, prandaj jam i lumtur që përkundër vështirësive dhe propagandës së zhvilluar kemi arritur ta bëjmë Podujevën me spital, i cili do të ofrojë shërbime shëndetësore të nivelit bashkëkohor për pacientët.

Me funksionalizimin edhe të reparteve të tjera pacientët tanë nuk do të kenë nevojë të shkojnë në SHSKUK për të marrë shërbime shëndetësore spitalore, por ato do t’i marrin në Spitalin e Podujevës.

Ky objekt me rëndësi të veçantë për qytetarët tanë është ndërtuar me mjete nga buxheti i Komunës së Podujevës.