Podolski mund të kthehet në Koln

Lukas Podolski nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në Koln, të cilin e konsideron klubin e zemrës. Mirëpo, sulmuesi gjerman insiston se është i lumtur për momentin në Arsenal.

Sport

25/04/2014 12:37

Lukas Podolski e pranon se është i hapur për një rikthim tek klubi i tij i zemrës, Koln, por insiston se është i lumtur në Arsenal.

Sulmuesi gjerman është pjesë e Gunners që nga viti 2012, ku kishte shkuar për 13,4 milionë euro. Ai iu gëzua rikthimit të Kolnit në Bundesligë, pas fitores ndaj Bochumit, fundjavën që shkoi.

Kohë më parë, përfaqësuesi gjerman kishte thënë se nuk ishte i kënaqur me minutazhin në Emirates Stadium dhe me ndërrimet e shpeshta që ia bën trajneri Arsene Wenger, por së fundmi po shënon gola dhe e ka gjetur gëzimin në Angli.

“Bundesliga është njëra prej ligave më të mirë në botë dhe është mjaft interesante të luash aty. Në Bundesligë, mendimet e mia natyrisht se shkojnë tek Kolni”, deklaroi fillimisht futbollisti me prejardhje polake për Transfermarkt.

“Ai është më shumë se klub për mua, është shtëpia ime. Ndoshta do të kthehem një ditë. Ky për mua gjithmonë është një opsion, është çështje zemre”, vazhdoi ai.

“Sidoqoftë, unë kam kontratë me Arsenalin, të cilën po ashtu do të doja ta përfundoja. Mirëpo, siç e thash, kurrë nuk i dihet në futboll. Ndonjëherë, gjithçka ndodh shumë shpejtë”, përfundoi 28 vjeçari, i cili ka realizuar katër gola në dy ndeshjet e fundit.