Po pyesim qytetarët, jo LDK’në

PDK thotë se pret përgjigjet nga qytetarët e Prishtinës “e jo nga selia e LDK’së brenda objektit të politizuar të komunës së Prishtinës”.

Lajme

30/09/2013 15:50

PDK ka kritikuar qasjen e LDK’së ndaj nismës së Agim Çekut për shpërndarjen e pyetësorëve për qytetarët e Prishtinës, në përgatitje të programit zgjedhor për Kryeqytetin.

Sot PDK në Prishtinë u mor me LDK’në, Komunën e Prishtinës dhe me ata që i quajti “shërbëtorë medialë” të dy të parave, pas reagimeve kundër shpërndarjes së 50 mijë pyetësorëve të PDK’së nëpër adresat e qytetarëve të Prishtinës.

Një ditë më parë, LDK dhe Komuna e Prishtinës i kishte ftuar kandidatët për kryetarë të Prishtinës që “të gjejnë forma tjera për të garuar kundër Akademik Isa Mustafës, në mënyrë që kur të dalin të humbur nga kjo garë së paku të kenë dinjitet”.

Por, PDK thotë se pret përgjigjet nga qytetarët e Prishtinës “e jo nga selia e LDK’së brenda objektit të politizuar të Komunës së Prishtinës”.

“Ne i falënderojmë për ‘vlerësimet përmbajtësore’ strukturat dhe shërbëtorët medialë të LDK’së, por e shohim të arsyeshme t’ua bëjmë me dije, se nuk i kemi pyetur ata, ngaqë i dimë vlerësimet e tyre dhe i respektojmë bindjet e tyre politike”, thuhet në reagimin e Degës së PDK’së në Prishtinë.

“Me këto komunikata, që po ua dërgojnë mediave, zyrtarët e LDK’së si subjekt politik dhe zyrtarët e komunës së Prishtinës, si institucion që do duhej të ishte në shërbim të qytetarëve të Prishtinës, po dëshmojnë që nuk dinë të bëjnë ndarje të përgjegjësive”.

“Qeverisja në largim e komunës së Prishtinës, me këtë qasje, vetëm po rikonfirmon që qytetarët e Prishtinës, përpos që i ngarkon me problemet e LDK’së, edhe i përdorë sa herë që ka nevojë, duke bërë thirrje politike në emër të tyre”.

“Një qasje e tillë, nxjerr në pah hutinë që e ka kapluar qeverisjen në largim të Prishtinës, të cilët as si shërbyes publikë më nuk po dinë të sillen dhe tregon edhe mënyrën e funksionimit të LDK’së, e cila nga një parti e votuesve, ka mbetur vetëm parti e interesave të një grupi të caktuar brenda saj”.