Po punoj që ta mund Thaçin

Ramush Haradinaj thotë se po punon që ta mundë Hashim Thaçin, si në zgjedhjet lokale ashtu edhe në ato nacionale. Nuk e përjashton as koalicionin me PDK’në. Mirëpo, po beson që do ta ndërrojë Thaçin me zgjedhje.

Lajme

01/10/2013 09:35

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka ardhur me ide të freskëta nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ramush Haradinaj është shprehur se po punon që ta mundë Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, si në zgjedhjet lokale ashtu edhe në ato nacionale.

Por, e ka lënë derën hapur edhe për një koalicion eventual me PDK’në, pasi ka refuzuar ta përjashtojë një mundësi të tillë.

Këto komente, Lideri i AAK’së i ka bërë pasi ka vendosur lule te Shtatorja e Presidentit Ibrahim Rugova, në sheshin e Prishtinës.

“Po punoj ta mund z. Thaçi në të gjitha komunat, nëse arrijmë, dhe po punoj me ardhë e me e ndërru prej Qeverisë.”

“Do të na ndodhë të shihemi e të komunikojmë, meqenëse në disa tema e kemi marrë përgjegjësinë, si në rastin e dialogut, por unë po e kryej punën time që ta mund z. Thaçi”.

“Përjashtimi i mundësisë për koalicion me PDK’në do të ishte një parashikim i hershëm. Por, ajo që po synojmë e që po punoj çdo ditë është ta mund z. Thaçi dhe ta ndërroj me zgjedhje dhe (kjo) po duket shumë reale në terren”.

“I kisha lutur qytetarët e Kosovës dhe mediat që t’i japin mundësi një alternative, të mos i humbin shpresat. Unë shumë besoj që kemi me e ndërru z. Thaçi me zgjedhje”.

Kreu i AAK’së gjithashtu foli edhe për fokusin që ka partia e tij në këto zgjedhje, duke thënë se ata do sfidojnë në të gjitha komunat.

“Nuk guxoj që ta veçoj (asnjë komunë) se nuk ka lezet, por kemi me i sfidu në të gjitha komunat. Ne do të jemi një konkurrent serioz. Në disa, është e vërtetë që qëndrojmë më mirë, do të thotë e rrisim besimin në komunat që i udhëheqim”.

“Në disa, kemi target fitoren gjithsesi. Kemi me i sfidu besoj në të gjitha komunat.”

Gjithashtu Haradinaj tha se kanë synim të fitojnë në Prishtinë. Ai lavdëroi punën e kandidatit të AAK’së për Prishtinë, Besnik Tahirit, duke thënë se ai ka organizuar strukturën dhe organizatën me njerëz dhe kjo është përparësia e tij.