Plus dy muaj paraburgim për “Grupin e Drenicës”

Sipas vendimit të ri, të akuzuarit do të rrijnë në paraburgim deri më 23 mars. Tomë Gashi tha se arsyetimi i gjykatësit se “ata mund të ikin dhe të ndikojnë në dëshmitarët në një gjykim eventual është bërë një stereotip të cilit askush në Kosovë nuk i beson\".

Lajme

22/01/2014 15:07

Një gjykatës ndërkombëtar i ka vazhduar sot paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë pjesëtarëve të “Grupit të Drenicës”, në të cilin bëjnë pjesë edhe Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku dhe Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi.

Vazhdimi i paraburgimit është konfirmuar për lajmi.net nga avokati Sylejman Selimit, Tomë Gashi.

Sipas vendimit të ri, të akuzuarit do të rrijnë në paraburgim deri më 23 mars.

Tomë Gashi ka thënë se arsyetimi i gjykatësit se “ata mund të ikin dhe të ndikojnë në dëshmitarët në një gjykim eventual është bërë një stereotip të cilit askush në Kosovë nuk i beson”.

“Këto arsye janë fyetje e parimit të pafajësisë dhe nuk di se si do të arsyetohen këto vendime të paligjshme kur nga një gjykatë e pavarur, e pandikuar dhe e drejtë, me siguri të plotë do të lirohet i pafajshëm Sylejman Selimi, dhe shpresoj edhe gjithë ushtarakët tjerë të UÇK’së të akuzuar në këtë rast për krime lufte”.

“Ne avokatëve na mbetet të paraqesim ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Vazhdimi i paraburgimit është bërë një ditë para se të skadonte afati i paraburgimit aktual për Lushtakun, Selimin dhe pesë bashkëluftëtarë të tjerë të tyre të cilët po përballen me akuzat për krime të luftës.

Përveç tyre, në aktakuzë gjenden edhe tetë pjesëtarë të tjerë të ish ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Zona Operative e Drenicës të cilët janë duke u mbrojtur në liri.