Plumba e gjak në Kupën e Italisë

Tifozët e Romës janë përleshur me ata të Napolit, para duelit të finales në Kupën e Italisë mes Napolit dhe Fiorentinës në kryeqytetin italian. Një tifoz është në gjendje kritike pasi është qëlluar me armë.

Sport

03/05/2014 22:38

Dueli i finales në Kupën e Italisë mes Napolit dhe Fiorentinës është përgjakur.

Para hyrjes së tifozëve të Napolit në stadiumin Olimpico të Romës – nikoqir i finales – një grup i tifozëve që besohej se ishin mbështetës të Romës i sulmuan ata dhe pas përleshjeve janë shkrepur armët.

Hasmëria mes tifozëve të Napolit dhe atyre të Romës është ndezur këtë sezon dhe klubi nga kryeqyteti është dënuar në disa raste për kore kundër napolitanëve.

Një tifoz i Napolit është në gjendje të rëndë pasi sipas njoftimeve ai është qëlluar me armë.

Dueli mes Napolit dhe Fiorentinës ishte në rrezik të mos zhvillohej por pas konsultimeve me tifozët dhe zyrtarët përgjegjës, skuadrat kanë dalë në fushë.