Pleqëria e Xhavit Halitit, s’kanë fund konfliktet në seanca

“Çka kini, a po doni me ba hajgare me mu a çka?!”, tha dje Xhavit Haliti, në përplasje e sipër me deputetët e opozitës duke reaguar si një i moshuar që nuk e di se çfarë po ndodhë. Nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK’së nuk po i largohet mllefi ndaj opozitarëve. Ka hyrë në një seri përplasjesh me ta e edhe më tutje vazhdon të kryesoj seancat.

Lajme

15/06/2018 14:55

Seancat në Kuvend rrallë herë shpëtojnë pa zënka me protoganistin kryesor Xhavit Halitin. Ky i fundit, kur po i drejton seancat, nuk po mund t’i durojë deputetët e opozitës.

Dje ishte përplasja e tij e fundit me deputetën e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiun dhe deputetët tjerë opozitarë. Zakonisht përplasjet i nisë për shkak se refuzon t’ua japë fjalë atyre.

Haxhiut përveçse nuk ia jepte fjalën, dëshironte t’ia ndalte krejt zërin pasi kjo e fundit njihet për britmat në sallën e kuvendit, edhe pa mikrofon.

“S’po du me ta dhanë fjalën, çka ki që po bërtet”, i tha Haliti.

Gazeta Express provoi të bisedonte me deputeten Haxhiu pas përplasjes së djeshme, por kjo refuzoi të flasë për mediumin.

E, komplekset e Halitit kanë arritur deri aty sa nënkryetari pyeste deputetët mos po donin të bënin hajgare me të.

“Çka kini, a po doni me ba hajgare me mu a çka?!”,  reagoi Haliti.

Ky konflikt i krijuar dje në sallën e Kuvendit ishte i fundit, por jo i vetmi. E, edhe më tutje ai vazhdon të kryesojë seancë, kur mungon kryeparlamentari Kadri Veseli.

Albert Krasniqi, përfaqësues i KDI’së, që bën edhe monitorimin e punës në Kuvend, thotë se për t’iu ikur incidenteve që po i shkakton Haliti dhe për shkak të ankesave që po i bëjnë deputetët, atëherë atij nuk duhet t’i jepet autorizim për udhëheqjen e seancave.

“Në drejtim të z. Haliti ka pasur në vazhdimësi ankesa nga deputetët për shkelje gjatë kryesimit të seancave. Për këtë, konsideroj që Kryetari i Kuvendit atëherë kur nuk mundet personalisht të kryesojë seancat, të mos autorizojë më z. Halitin por njërin prej nënkryetarëve të tjerë, me qëllim të shmangies së incidenteve të tilla”, ka thënë Kransiqi për Gazetën Express.

Ai përmend edhe incidentin që pati nënkryetari me deputetin e LDK’së, Arben Gashin, të cilin Haliti e shtyu me krah në sallën e Kuvendit. Ai tha se e bëri pa qëllim dhe se rrëshqiti.

“Kohëve të fundit Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti është përfshirë në përdorim të gjuhës jo parlamentare por edhe sulme fizike të deputetëve të tjerë”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, krejt ajo çka ndodhi në Kuvend u pa dhe dihej nëse Haliti ka rrëshqitur ose e bëri me qëllim.

E, deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, i cili bën pjesë në Grupin Parlamentar të LDK’së, për Gazetën Express ka thënë se Haliti duhet të sigurohet se e kupton rregulloren e Kuvendit, para se t’i udhëheq seancat.

“Unë kisha bërë thirrje jo vetëm tek zotëri Haliti, port e të gjithë ata që kanë për detyre udheheqjen e senaces te sigurohen fillimisht që e kuptojnë mirë rregulloren dhe ta respektojnë atë në tërësi”, ka thënë Sejdiu.

Haliti para disa javëve ka pasur një konflikt me deputetin e LDK’së, Anton Qunin. Pasi ky i fundit kishte thënë në studio televizive se Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë në ekzil i kishte dhënë Halitit sa ky ishte në UÇK 8 milionë marka.

Nënkryetari nga radhët e PDK’së e kishte nisur një seancë nga foltorja e kryesuesit duke iu kundërpërgjigjur Qunit.

Tutje, ai ka pasur një seri përplasjesh me Arben Gashin që përfundoi me sulm ndaj deputetit të LDK’së. Haliti tha se ka rrëshqitur se ka qenë i paqëllimshëm goditja e tij, mirëpo pamjet nga ky moment bien ndesh me deklaratën e Halitit.

Ai dje është intervistuar nga Prokuroria e Shtetit lidhur me këtë rast.