Platini flet për vetëvrasje

Michel Platini ka insistuar se nuk është duke e menduar vetëvrasjen por dëshiron ta pastrojë emrin e tij nga akuzat për korrupsion.

Sport

25/02/2016 13:39

Michel Platini është zotuar se do ta vazhdojë luftën e tij kundër dënimit nga futbolli pasi FIFA refuzoi ankesën e tij.

Ish presidenti i UEFA-së dhe homologu i tij nga FIFA, Sepp Blatter janë suspenduar për tetë vjet pas një pagese prej 2 milionë franga të bërë nga zvicerani tek francezi në shkurtin e vitit 2011.

Platini ka konfirmuar se do ta dërgojë rastin e tij tek Gjykata e Arbitrazhit për Sport (CAS) dhe insiston se do të bëjë gjithçka për të pastruar emrin e tij.

“Nuk do të bëj vetëvrasje. Fati im ishte që të mos bëhem president i FIFA-së, por të jem në ekipin e Francës”, deklaroi Platini i cili synonte të kandidonte për zgjedhjet presidenciale në FIFA për “L’Equipe”, përcjell “Lajmi.net”.

“Nuk jam politikan, jam njeri i futbollit. Dhe sot, ende jam i tillë. Do të luftoj deri në fund kundër padrejtësive, të pastroj emrin tim, sepse nuk kam bërë asgjë të keqe”, u shpreh ai.