Platforma e Qeverisë për dialogun mund të diskutohet në tryezën e PSD-së

Partia Socialdemokrate do të mbledh edhe një herë spektrin politik rreth një tryeze për të diskutuar për dialogun me Serbinë.

Lajme

18/06/2018 12:02

Tashmë kur është konfirmuar pjesëmarrja e shumicës së partive parlamentare, çështja mbetet tek temat e përveçme të cilat do të fliten në këtë tryezë në kuadër të asaj së përgjithshmës për dialogun me Serbinë, shkruan lajmi.net.

E gjasat që të diskutohet për platformën e Qeverisë për dialogun Kosovë-Serbi janë të pakta.

Zëdhënësi i PSD-së, Shkodran Hoti, ka thënë shkurt për lajmi.net se ideja e kësaj tryeze është që në një mënyrë të përgjithshme të diskutohet për dialogun me Serbinë dhe fuqizimin e republikës parlamentare, ndërkaq që nuk ka përmendur se nëse temë diskutimi do të jetë edhe platforma e Qeverisë.

“Ideja është që të diskutohet ashtu siç ka qenë, dialogu me Serbinë dhe fuqizimi i republikës paralamentare”, deklaroi Hoti.

Ndërkaq deputeti i këtij subjekti, Faton Topalli, duke mos e përjashtuar mundësinë që në këtë tryezë të dialogohet edhe për platformën e Qeverisë, ka thënë për lajmi.net se shoqëria dhe kuvendi duhet të angazhohen bashkarisht që roli i Kosovës në këto bisedime mos të jetë më siç e quan ai ‘objektiv’, mirëpo ky rol të kalojë në atë subjektiv dhe Kosova të ketë dhe ndikimin e saj.

Çështja e diskutimit për dialogun me Serbinë, sigurisht që do të diskutohet në përgjithësi për dialogun njëherë, si një prej temave që ka filluar që prej përfundimit të luftës dhe ende nuk është kryer, ne si PSD jemi shumë të interesuar që të diskutojmë së bashku me të gjitha partitë politike çështjen e dialogut si një çështje e rëndësishme e cila tejkalon kufinjtë partiak dhe e cila është më shumë një temë e përgjithshme shoqërore”, tha Topalli për lajmi.net.

Po ashtu sipas Topallit, kuvendi duhet të ketë një rol të rëndësishëm monitorues në bisedimet me Serbinë.

“Ne duhet të dakordohemi edhe si shoqëri edhe si kuvend, edhe si parti politike për ta përcaktu një strategji sa i përket dialogut me Serbinë, nga të cilat Kosova nuk do të jetë më object siç ka qenë deri më tani, por do të jetë subjekt. Politikat dhe strategjitë duhet t’i përcaktojë kuvendi, dhe kuvendi duhet t’i monitorojë bisedimet”, përfundoi Topalli.

Ndryshe, tryeza e thirrur nga Partia Socialdemokrate është e katërta e këtij llojit, duke përfshirë edhe tryezat paraprake të thirrura nga LDK, PDK e Vetëvendosje.