Planti anti-Messi

Atletico Madrid bëhet gati për ballafaqimin me Barcelonën të shtunën në Camp Nou, me një plan të veqantë për të ndalur sulmuesin kryesor të gjigantit katalan, Lionel Messi.

Sport

15/05/2014 13:16

Lionel Messi nuk është duke kaluar periudhën më të mirë të karrierës së tij, në fushë dhe jashtë saj.

Ylli argjentinas nuk ka qenë në kulmin e paraqitjeve së fundmi, ndërsa ende nuk ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës së tij në klub, duke zgjuar spekulime se mund të largohet nga Camp Nou, gjatë afatit kalimtar të verës.

Messi ka shënuar ‘vetëm’ 28 gola në La Ligë këtë sezon, shifër me të cilën ai nuk mund të krenohet duke konsideruar se në vitet e shkuara vazhdimisht ka realizuar 40 e më tepër herë në stinor.

Të shtunën, Barcelonën e tij e pret dueli vendimtar për titull të kampionit në La Ligë kundër Atletico Madridit në Camp Nou, ku vetëm me fitore do të mbrojnë kurorën.

Mirëpo, Atletico është duke përgatitur një plan anti-Messi, për ta ndalur yllin argjentinas. Juanfran, Miranda, Godin dhe Filipe Luis janë duke bërë stërvitje të veçanta, duke u bërë gati për ballafaqimin me Messin.

Por, jo vetëm ata, edhe mesfushorët më të tërhequr të Atleticos janë pjesë e planit të trajnerit Diego Simeone për të ndalur Messin.