Plani serb për Gjykatën Speciale: Merr nga KFOR-i ditarët e luftës së UÇK-së

Zbulohet skenari serb për të akuzuar komandantët e lartë të UÇK-së. KFOR-i i ka dorëzuar në Beograd ditarët e luftës së Kosovës, të mbajtura nga zyrtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të cilat u konfiskuan kur dhe u çarmatos Ushtria Çlirimtare e Kosovës pas luftës së 1999-ës.

Lajme

06/02/2016 11:18

Siç bën të ditur e përditshmja serbe ‘Vecernje Novosti’, një komision i posaçëm parlamentar ka marrë dëshmi dhe të dhëna nga vitet 1998, 1999, dhe 2000. Parlamenti serb synon që të akuzojë direkt komandën e lartë të UÇK-së se është fajtore për krimet e kryera dhe gjithçka ka ndodhur nga zinxhiri komandues.

Kreu i komisionit parlamentar serb, Milovan Dreçun i partisë së kryeministrit Vuçiç, tha se KFOR-i u ka dhënë Ditarët e Luftës, të cilat janë mbajtur nga zyrtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, e që janë konfiskuar nga trupat e NATO-s dhe do të shërbejnë si një provë për të akuzuar ish-komandantët.

Konkretisht, bëhet fjalë për ditarët e betejave për shtatë zona operative: ajo e Drenicës, Dukagjinit, Llapit, Pashtrikut, Shalës, Karadakut dhe Nerodimes.

Dhe pikërisht, sipas këtij skenari, të akuzuarit e parë nga Serbia në Gjykatën Speciale do të jenë: Sami Lushtaku i z.o. Drenicë; Ramush Harainaj i z.o Dukagjin; Rahman Rama, komandant i z.o. të Shalës; Rustem Mustafa, komandanti i z.o. Llap; Sadik Alitjaha, komandant i z.o Pashtrik; Ahmet Isufi, komandant i z.o. Karadak; dhe Shukri Buja, komandant i z.o. Nerodime.

Në listë është edhe Fatmir Limaj, komandant i zonës së çliruar të Malishevës.

Parlamenti i Serbisë do të hartojë 7 dosje të plota kundër shtatë Zonave Operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’i paraqitur në Gjykatën Speciale në Holandë, e cila është ngritur për të akuzuar ish-pjesëtarët e UÇK-së.

“Për herë të parë kemi koordinimin e të gjitha shërbimeve tona, si dhe organeve të specializuara, që kanë prova për krimet e kryera nga UÇK-ja”, të cilën Dreçun e cilësoi si “terroriste”.

“Arkivi do të ketë të dhënat mbi format, por dhe informojë mbi atë që ka dhënë urdhrat për të vrarë, kë kanë vrarë dhe dëshmitë përkatëse, ndërkohë prokuroria do të janë japë informacion nga Task Forca hetimore e BE-së, që është ngritur pranë Gjykatës Speciale”, tha ai.

Dreçun shtoi se Task Forca hetimore e BE-së pritet të bëhet Prokurori Speciale. /tesheshi.com/