Plani i tifozëve të Sampdorias për ndeshjen e mbetur ndaj Fiorentinës

Tifozët ultras të Sampdorias vazhdojnë protestën e tyre.

Sport

18/09/2018 07:33

Tifozët ultras të Sampdorias nuk ndryshojnë qëndrim për sfidën e prapambetur të javës së parë ndaj Fiorentinës që do të luhet këtë të mërkurë në stadiumin Luigi Ferraris të Genovas.

“Rrugët e lira, stadiumi bosh”, është ky slogani më i përhapur nga fansat e zjarrtë të Sampit në rrugët e qytetit të cilët kërcënojnë me mospraninë e tyre në stadium të mërkurën edhe pse skuadra doriane po kalon një moment të shkëlqyer dhe vjen pas dy fitoreve fantastike në këtë duel.

Edhe pse liga italiane e futbollit e ka shtyrë dy orë nisjen e takimit nga ora 17:00 në 19:00, tifozët ultras të Sampdorias vazhdojnë protestën e tyre.

Gjithçka vjen si pasojë e akordimit të orarit fillestar në 17:00 nga liga italiane e futbollit për shkak se në orët e mbrëmjes në qytet ka shumë trafik për shkak të rrëzimit të urës Morandi, por kjo u është dukur një arsye pa sens logjik tifozëve të Sampit të cilët u bëjnë thirrje të gjithë fansave të mos shkojnë në stadium për të parë ndeshjen me skuadrën vjollcë.