“Pistoletë në kokën e Messit”

.

Sport

26/03/2018 10:55

Më të mirët e botës së futbollit gjykohen nga suksesi ndërkombëtar dhe Jorge Sampaoli beson se presioni për të fituar Kupën e Botës po rëndon gjithnjë dhe më shumë mbi Leo Messi-n.

Trajneri argjentinas ka arritur deri aty sa e ka krahasuar me një pistoletë të drejtuar në kokën e yllit të “Albicelsete”-s. Sulmuesi i Barcelona-s ka qenë i pafat gjatë karrierës së tij me kombëtaren, të cilën e ka udhëhequr drejt finales së Botërorit në 2014-ën dhe në dy finale të Kupës së Ameriksë. Sampaoli ka shkruar një libër, që do të publikohet në prill, dhe disa pjesë të tij janë publikuar në mediat argjentinase.

“Messi ka një pistoletë të drejtuar në kokën e tij që quhet Kupa e Botës dhe nëse nuk e fiton, do të qëllohet dhe do të vritet”, ka shkruar tekniku. “Si rezultat, ai nuk mund ta shijojë talentin e tij, mendoj se atmosfera negative që rrethon futbollin ndërkombëtar e dëmton Messi-n”. Përveç se ka përshkruar presionin e madh në të cilin ndodhet sulmuesi, ish-trajneri i Sevilla-s nuk i ka kursyer elozhet ndaj tij.

“Në këtë moment besoj se po punoj me lojtarin më të mirë në histori”, ka thënë ai. “Bëhet fjalë për një lojtar që është më i miri në botë prej 10 vitesh. Është e vështirë të marrësh kontrollin kur lideri e di se është më i mirë se ty, ai bën gjëra që askush nuk i bën dot”.

Janë të shumtë tifozët, pjesa më e madhe e tyre neutralë, që mendojnë se futbolli i detyrohet një Botëror Messi-t, edhe pse Sampaoli beson se për ta arritur një objektiv të tillë duhet më shumë një punë kolektive.

“Duhet të gjesh lojtarët më të mirë dhe t’i vendosësh ata në pozicionet më mira në fushën e lojës”, ka thënë ai.

“Leo duhet të luajë njësoj siç bën me klubin dhe do të ishte çmenduri t’i kërkohej të bënte diçka ndryshe. Në ndeshjen kundër Ekuadorit kam thënë se bota e futbollit i ka borxh një Botëror atij, por e dija se ai do të ishte vendimtar në momentin e duhur”.