”PISA 2018” mban nën ethe Kosovën

Testi i “PISA” është testi kryesor ndërkombëtar për edukimin fillor dhe të mesëm. Ai dëshmon se në çfarë pozite renditet shteti në bazë të cilësisë së arsimit.

Lajme

21/09/2018 18:05

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbër Geci në një deklaratë dhënë për lajmi.net ka thënë se kësaj radhe MASHT-i pret rezultate shumë herë më të mira se ato të vitit 2015.

‘’Rezultatet e testit PISA të cilat pritet të dalin ,konsiderojmë që do të jenë shumë herë më të mira sesa që kanë qenë të vitit 2015 për faktin se testi PISA këtë herë është trajtu me një nivel shumë të lartë të seriozitetit ka pasë një përkushtim më të madh dhe një trajtim shumë herë më serioz edhe nga nxënësit edhe nga mësimdhënësit’’, ka thënë Geci.

Geci thekson se në testin ‘’PISA  2015’’ kanë identifikuar probleme të mëdha  pasi që atëherë nuk kanë qenë të vetëdijësuar për rëndësinë e këtij vlerësimi ndërkombëtar të nivelit të cilësisë së arsimit në vend.

‘’MASHT ka identifikuar një sërë problemesh që kanë egzistuar në testin PISA të vitit 2015 që kanë pas të bëjnë ekskluzivisht me një trajtim jo serioz të këtij testi dhe një çasje të gabuar kundrejt këtij testi nga nxënësit për vetë faktin se nxënësit e kanë kuptuar se ato teste nuk janë vlerësime të tyre personale dhe një pjesë e madhe e pyetjeve janë lënë të zbrazëta dhe pa përgjigje sepse nuk është bërë përgatitja e duhur dhe vetëdijësimi i rëndësisë së këtij testi. Këtë herë i kemi identifikuar këto probleme kemi formuar një komision i cili e ka bërë një punë në koordinim me të gjitha DKA-të në nivel të komunave në Kosovë dhe kemi bërë të gjitha përgatitjet teknike. I kemi përgatitë të gjithë nxënësit për mënyrën se si duhet të plotësohet testi. Besoj se kjo punë që është bërë dhe përgatitja shumë e madhe besoj se do ta nxjerrë rezultatin real të nxënësve tanë i cili besoj që është shumë herë më i lartë se sa rezultati i testit të kaluar’’, ka thënë zv/ministri i Arsimit.

Zëvendësministri shpreson se kësaj radhe, Kosova do ta marrë vendin e merituar dhe do të renditet në një pozitë më të kënaqshme.

‘’Ne besojmë se testi PISA 2018 do të dëshmojë rezultatet reale dhe nivelin real të nxënësve të Kosovës dhe shpresojmë shumë që ky rezultat do të jetë shumë i lartë dhe do ta rendit Kosovën në atë vend ku i takon dhe në atë nivel që realisht e ka’’, ka përfunduar Arbër Geci.

Në anën tjetër, të kundërtën e thotë eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci. Sipas Pupovcit që nga viti 2015 nuk ka pasë ndonjë përmirësim në cilësinë e arsimit gjë që e vën në dyshim rezultatin kësaj radhe.

Sipas tij, pëgatitja e nxënësve, paisja me libra shkollor dhe çasja e nxënësve të kësaj gjenerate në kompjuter ka qenë më e lehtë gjë që mund të sjellë rezultate më të mira, por këtu nuk mund të mbështetet në cilësinë e arsimit.

‘’Prej vitit 2015 nuk ka pasë ndonjë përmirësim të cilësisë së arsimit që me qenë rezultati më i mirë, pra mundet me qenë rezultati më i mirë sepse nxënësit janë përgatitë, mundet me qenë rezultati më i mirë sepse janë një gjeneratë tjertër e cila ka më shumë qasje në kompjuter sesa gjenerata e vitit të kaluar. Të gjithë i kanë pasë tekstet shkollore falas prej klasës së parë, do të thotë askujt nuk i kanë munguar, kështu që mundet me dalë ndonjë përmirësim. .Mirëpo mendoj se ai përmirësim nuk është rezultat i përmirësimit të gjendjes në sistemin e arsimit. Kështu që për këto rezultate është mirë të pritet’’, tha Pupovci për lajmi.net

Eksperti i arsimit thekson se problemi në sistemin arsimor qëndron tek cilësia e dobët ku nuk ka përgjegjësi në atë se çka punohet dhe mungon llogaridhënia.

‘’Problemi i sistemit arsimor në Kosovë është cilësia. E para është se Kosova për mendimin tim ka dështuar ta ndërtoj një sistem ku mbizotëron përgjegjësia dhe llogaridhënia. Pra ka të bëjë më gjithe hierarkinë, nga ministria e deri tek mësimdhënësit. Askush në sistemin tonë nuk jep llogari për dështime për gabime për veprime të gabuara. Problemi tjetër është mësimdhënia jo cilësore në klasë, sikur të ishte mësimdhënia cilësore sigurisht se rezultati do të ishte ndryshe. Problemi është se mësimdhënësit nuk kanë asnjë lloj mbështetje profesionalë gjatë punës së tyre. Nuk ka mbikqyrje për mësimdhënësit’’.

Mungesa e paisjeve teknologjike në shkolla është një tjetër çështje që Pupovci e ngritë si problematikë serioze pasi që sipas tij nxënësit dijnë të përdorin kompjuterë por ju mungojnë në shkolla.

‘’Kosova ka penetrim prej 82% në internet pra është në nivelin e vendeve të bashkimit evropian dhe këtu qëndron njëri ndër problemet madhore të sistemit të arsimit sepse fëmijët kanë çasje në internet dhe kompjuter por kur vijnë në shkollë ata punojnë me metoda klasike. Prandaj nuk dyshoj në aftësitë e fëmijëvë që ta shfrytëzojnë një softver të thjeshtë siç është plotësimi i një testi. Andaj unë nuk pres se këtu do të jetë arsyeja e ndonjë rezultati të ndryshëm nga viti 2015’’, ka përfunduar Dukagjin Pupovci.

Këtë vit në testin ‘’PISA 2018’’  kanë marrë pjesë 211 shkolla me 5370 nxënës. Ky test është mbajtur  nga 11 prill deri më 5 maj.

Ndërsa, Kosova në vitin 2015 nga 72 vende pjesëmarrëse në këtë test, ndante vendin e fundit në lexim bashkë me Libanin, ndërsa në matematikë dhe shkenca të natyrës kishte lënë prapa vetëm Algjerinë dhe Republikën Dominikane. /Lajmi.net/