Pique me lot në sy: Jam krenar për popullin katalanas, jam gati edhe të largohem nga kombëtarja

Gerard Piqué nuk do të ndryshojë kurrë. Ai gjithnjë ka luftuar me mënyrat e tij për pavarësinë e Katalonjës dhe do të vazhdojë ta bëjë. Me çdo pasojë!

Sport

01/10/2017 20:23

Mbështetja e tij publike për referendumin e sotëm të katalanasve ka krijuar një debat të madh në Spanjë, por mbrojtësi ka dhënë sërish një mesazh të fortë në emër të idealeve që ka. Pas fitores 3-0 ndaj Las Palmasit, mbrojtësi deklaroi se do ta mbështesë me çdo kusht referendumin, edhe nëse emri i tij do të hiqet nga lista e kombëtares spanjolle.

“Nëse Federata Spanjolle mendon se mund të jem problem për kombëtaren, atëherë jam gati të shkëputem”, – u shpreh 30-vjeçari. Ai ka rrëfyer me kohë se do të largohet nga “Furia e kuqe” që pas Botërorit 2018, por kjo mund të ndodhë edhe më shpejt.

I pyetur për dhunën e ushtruar sot nga policia spanjolle ndaj katalanasve, Piqué, me lot në sy, u përgjigj: “Jam krenar për popullin katalanas. Kjo ka qenë përvoja më e keqe në jetë për mua”. Barcelona u detyrua të luante me ishullorët, pavarësisht kaosit të madh të referendumit, sepse rrezikonte dënim me heqje pikësh.