Pique mbron Martinon, fajëson futbollistët

Gerard Pique thotë se trajneri Gerardo Martino nuk është fajtor për rezultatet e dobëta të Barcelonës këtë sezoni. Mbrojtësi insiston se përgjegjësia për dështime është e futbollistëve.

Sport

22/04/2014 18:08

Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique ka mbrojtur trajnerin Gerardo Martino nga kritikat e shumta pas serisë së rezultateve negative të ekipit që i kushtoi me eliminim nga Liga e Kampionëve, humbje në finalen e Copa del Rey dhe zbehje të gjasave për titull në La Ligë.

Pique insiston se Martino nuk është fajtor për atë që ndodhi, por përgjegjësia i takon futbollistëve.

“Martino nuk ka faj për atë që ndodhi këtë vit. Ai erdhi këtu në momentet e fundit, puna e tij dhe marrëdhëniet me futbollistët gjithmonë kanë qenë shumë të mira”, deklaroi Pique.

“Sigurisht se kur rezultatet nuk shkojnë mirë, i pari që kritikohet është trajneri, por ai nuk ka faj. Faji është i të gjithë nesh që duhet të luajmë. Në fushë duhet të hyjmë për të luftuar dhe fituar tituj, dhe kjo nuk ndodhi”, u shpreh ai.