Pinjollët e Millosheviqit do ta arrestojnë Hashim Thaçin, nëse shkon në Beograd

Kanë kaluar 14 vjet prej arrestimit të presidentit të atëhershëm serb, Slobodan Millosheviq, i cili vdiq në Burgun e Hagës përpara se Gjykata t’ia shpallte verdiktit për krime lufte në Kosovë, por Serbia edhe sot e kësaj dite vazhdon të qeveriset nga mendësia e tij.

Lajme

16/04/2015 10:18

Kështu, prokurori për krime lufte i Serbisë, Vladimir Vukçeviq, ka paralajmëruar se fletarrestimi për Hashim Thaçin ende është në fuqi, kështu që, siç ka thënë ai, “mund të arrestohet nëse vjen në Beograd”.

Regjimi i Millosheviqit, në kohën e luftës, në një gjykatë të instaluar në Prishtinë, e kishte shpallur fajtor ish-drejtorin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për siç thuhej “veprimtari terroriste”, duke e dënuar me dhjetë vjet burg në mungesë.

“Hetimet për Thaçin janë pezulluar, sepse ai ishte i pakapshëm për organet hetuese të Serbisë. Nga ana tjetër Interpoli e ka stopuar në vendet tjera fletarrestin e lëshuar nga ana jonë për Thaçin, me arsyetimin se bëhet fjalë për funksionarë të lartë shqiptarë. Por, në Serbi ky fletarrest është ende në fuqi, kështu që nëse Thaçi vjen këtu, mund ta arrestojmë”, ka thënë Vukçeviq për gazetën beogradase “Blic”.

Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, i cili njëherësh është edhe ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka shprehur gatishmërinë e tij për të shkuar në Beograd, pasi së bashku me disa homologë të tjerë rajonal është ftuar nga organizata joqeveritare serbe “Ambasadorët e Paqes”, për të marrë pjesë në një konferencë për integrimet evropiane të vendeve të rajonit.

Por për të vërtetuar se klasa politike e Serbisë udhëhiqet nga mendësia e vjetër, ajo e Millosheviqit, gjë të cilën shpeshherë e ka deklaruar edhe zëvendëskryeministri Thaçi, ishte edhe komenti i shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

Daçiq, ish zëdhënës i partisë së Millosheviqit, një ditë më parë tha se Thaçi nuk ka nevojë të vizitojë Beogradin. “Atë tubim nuk e organizon qeveria serbe, kështu që nuk besoj se ka nevojë që Hashim Thaçi të vijë në Beograd”, ka thënë njëri prej pinjollëve të regjimit më mizor që ka njohur Evropa pas Luftës së Dytë Botërore.