Pikëpyetja e një studenti!

Përzgjedhja e profesorëve të pakualifikuar për fushën e caktuar, nxjerr rezultat të dobët tek studentët. Dhe, këto dy-tri vitet e fundit, është në theks emërtimi i gjeneratave të reja si të “ degjeneruara”.

Opinion

29/11/2016 19:01

Shkruan: Albiona Hajdari
Fajtori nis të gjendet qysh në shkollat fillore, ku interesimi i nxënësit për të mësuar bie dukshëm derisa mësuesi, mësuar e pa mësuar, ka të njohur prindin e tij ose ndonjë kushëri, ose thjesht e kalon sa për ta hequr qafe, pasi që edhe nuk ka të drejtë ligjore të ngelë një nxënës po nuk mësoi.
Kuadri i arsimtarëve thuajse është më i dobët se kurrë pasi që edhe nxënësit e klasëve të nënta dinë të jenë kopjues të aftë.
Natyrisht që ka përjashtime, nga që ka edhe mësues të ndershëm, të përkushtuar pas punës, të atillë që nuk lejojnë kopjime, zhvlerësim të profesionit, por që për fat të keq, janë të paktë në numër.
Paaftësia e arsimtarit për të kontrolluar orën kur ligjëron apo kur teston nxënësit, sjell pasoja të pakëndshme që detajisht nuk vihen re.
Dëshira për të mundur shkollën tjetër, thuajse pa përjashtim i bashkon mësuesit e arsimtarët për t’u dërguar përgjigjet e pyetjeve në test arritshmërie, për t’u krenuar më pas se “ çfarë nxënës të mirë kanë dalë nga shkolla”.  Përjashtim nuk bëjnë as familjarët e atyre fëmijëve, që vihen në aksion për t’u ndihmuar ta kalojnë testin.
Aftësia për të mësuar, e një nxënësi që kalon në pragun e dytë të shkollimit, nisë të bjerë, nga që fundi i pragut të parë i mësoi atij se si duhet të ketë sukses. Shembullin e fundit, vazhdon ta ndjekë, ngadalë duke ulur notat, duke mos mësuar, por në fund, natyrisht se nga pikët sërish mund të dalë ndër më të mirët.
Nga që edhe në pragun e dytë shkollor, profesorët duan të “tregohen” para të tjerëve se si nxënësit e tyre kanë korrur sukses në testin e maturës, në lëndën e tij apo në përgjithësi.
Po ata nxënës që u bënë kopjues aq të aftë, falë mësuesve të tyre, arritën të rangohen në listë, si të parët e pranuar në fakultet.
Por, mundësia e dështimit tani është shumë më e madhe. Kjo, për arsye se profesorët fillojnë të kërkojnë nga ata aktivitet të vazhdueshëm dhe me këtë gjë nxënësit nuk janë mësuar.
Mungesa në orët e para të ushtrimeve, apo të ligjëratave, i bën ata që të fillojnë të mendojnë thellësisht për çështjen e shkollimit.
Tashmë, dilema e tyre është “ Të mallkojnë mësuesit e tyre që i bënë të aftë në kopjim dhe nuk arritën të zgjojnë në ta kurreshtjen?”, apo “ Të falenderojnë mësuesit e tyre që iu treguan rrugën më të “lehtë” për të marrë ca nota që në fund të fundit, vlejtën deri në regjistrim?”
Studenti, fillon të mos ndjekë shkollën, të shoqërohet me shokët e rangut të njejtë si ai. Humb fillin e jetës, merr para nga prindi që dergjet tetë orë në ditë për të parë suksesin e fëmijës së tij dhe i jep po aq para sa ka në xhep, duke mos u kursyer dhe në fund të ditës, shtrihet i dëshpëruar nga që fëmija nuk i kalon as edhe një provim.
Prindi e kupton që ai nuk shkon në shkollë, e kupton që ai ka marr rrugën e gabuar, por tashmë është shumë vonë për rikthim. E kupton që realisht, fillesa e problemeve ka qenë qysh në shkollën fillore, kur fëmija i tij shkruante sms, duke dërguar fotografitë e pyetjeve që ka në test, për t’i pritur përgjigjet…
E ardhmja, zbehet, ndërsa e tashmja vë në dyshim edhe të kaluarën e tij. Rruga, që ia mësuan ta ndjekë, ishte zgjedhja, apo zgjidhja?!