lajmi.net

Phillips: Statusi i territoreve shqiptare në Preshevë do të jetë e vetmja që do të përfshihet në korrigjimin e kufijve

Profesori në Universitetin Columbia të SHBA-së, David Philips, në një interviste për Deutche Welle thekson se në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë ndarje të Kosovës.

Lajme

07/08/2018 16:25

Philips thekson se ndarja etnike do t’i jepte fund Kosovës si shoqëri multi-etnike, ndërsa sipas tij statusi i territoreve shqiptare në Preshevë dhe pjesë të tjera të Serbisë do të jetë e vetmja që do të përfshihet në korrigjimin e kufijve.

Lexoni të plotë intervistën e njohësit të rrethanave në Ballkan, David Philips:

Deutsche Welle: Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciç, është duke kërkuar të diskutohen këmbime territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, kurse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke folur për korrigjim kufijsh. Është duke filluar kështu një strategji e re për përmirësimin e dialogut Kosovë- Serbi?

David L. Phillips: Territoret në veri të lumit Ibër në Kosovë janë zënë me forcë dhe me spastrim etnik. Qeveria e Kosovës e ka bërë të qartë pozicionin e vet. Nuk do të marrë pjesë në bisedime për të bërë legalizimin e kalimit të këtyre territoreve Serbisë. Statusi i territoreve shqiptare në Preshevë dhe pjesë të tjera të Serbisë do të jetë e vetmja që do të përfshihet në korrigjimin e kufijve.

Deutsche Welle: Kombet e Bashkuara e mbështesin dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit për këtë çështje.

David L. Phillips: Vërtet? Kombet e Bashkuara mbështesin dialogun Kosovë- Serbi që nxitet nga Bashkimi Evropian. Dialogu është krijuar për të negociuar masat që duhen marrë për krijimin e besimit dhe adresimin e çështjeve teknike që çojnë në njohjen e Kosovës me kufijtë ekzistues. Deri më sot Serbia nuk i ka luajtur këmbët, po zvarrit zgjidhjet.

Puna e OKB-së nuk është krijimi i vendeve. Ndarja etnike do t’i jepte fund Kosovës si shoqëri multi-etnike. Shumë vetë kanë humbur jetën për parimin e pluralizmit. Prej tij nuk duhet hequr dorë.

Deutsche Welle: Çfarë do të bëjë SHBA?

David L. Phillips: Shtetet e Bashkuara do të mbështesin pozicionin e qeverisë së Kosovës, pasi kosovarët të kenë diskutuar çështjet dhe të kenë mbërritur në një marrëveshje. Uashingtoni nuk është duke nxitur ndarjen etnike.

Deutsche Welle: Prof.Dr. Wolfgang Petritsch është duke i quajtur idetë e reja “realizëm i ri në Ballkan”.

David L. Phillips: “Realizëm i ri” do të thotë qëndrim tek rregullat evropiane. Kapitulli 35 bën të qartë se Serbia nuk do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. Realizmi kërkon zbatimin e vendimeve të Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare të BE-së.

Deutsche Welle: Çfarë do të bëjë Bashkimi Evropian?

David L. Phillips: Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të mbështesë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Por, dialogu nuk mund të zhvillohet përjetësisht. Duhet vendosur një datë për të mbyllur bisedimet në fund të periudhës së qëndrimit në post të Mogherinit, në maj të 2019-ës.

Deutsche Welle: Në raportin mbi politikat të publikuar në shtator 2017 ju rekomandoni një fillim të ri për Kosovën. Çfarë do të thotë kjo?

David L. Phillips: Fillim i ri do të thotë arkitekturë e re dhe ndërmjetësim më i fortë. Shtetet e Bashkuara duhet të ulen në tavolinën e bisedimeve. SHBA dhe BE duhet të emërojnë të dërguar specialë për dialogun, të cilët duhet të nxisin të dy palët të bëjnë kompromise. Formati i Vjenës ka qenë efektiv në të kaluarën. Ai duhet rikthyer.

LM