Pezullohen të gjitha vizitat e deputetëve jashtë vendit, shkak mungesa nëpër seanca

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit sot është vendosur që deputetëve t’u pezullohen të gjitha vizitat jashtë vendit deri më 20 shkurt.

Lajme

22/01/2018 12:47

Kryesia e Kuvendit ka mbajtur sot mbledhjen e parë që prej kthimit nga pushimet. Kjo mbledhje i dha rastin për herë të parë diskutimit për zhbërjen e Gjykatës Speciale, pasi deri sot nuk po bëhej kuorumi.

Kryesia vendosi që Projektligjin për Gjykatën Speciale t’ia dërgojë Qeverisë për shqyrtim.

Ndërsa në këtë mbledhje, po ashtu, u vendos që deputetëve t’u pezullohen të gjitha vizitat jashtë vendit deri më 20 shkurt, raporton lajmi.net.

Këtë e ka bërë të ditur edhe Albert Krasniqi nga KDI, i cili përmes rrjetit social, Facebook, ka thënë që në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit u vendos që deputetëve t’u pezullohen të gjitha vizitat jashtë vendit deri më 20 shkurt, por nuk ka bërë të ditur arsyen e një vendimi të tillë.

Mësohet se ky pezullim po ndodh për shkak të mungesës së deputetëve nëpër seanca, si dhe në tentativë që në seancat e ardhshme të Kuvendit të Kosovës  të ketë sa më shumë deputetë prezent në sallë./Lajmi.net/