Pezullimi i marrëveshjes për Asociacionin të shfrytëzohet për reflektim mes Pozitës e Opozitës

Partitë opozitare të Kuvendit të Kosovës do duhej që të presin vendimin përfundimtarë të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe dhe të mos bllokojnë punën e Kuvendit të Kosovës, pas pezullimit të përkohshëm të kësaj marrëveshje.

Lajme

11/11/2015 14:51

Sipas analistëve politikë, periudha e pezullimit të marrëveshjes për Asociacionin, duhet të shërbejë si shans për arritjen e një konsensusi politik për tejkalimin e krizës rreth dy mujore të punës së Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese dje ka bërë të ditur se ka pezulluar marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të arritur në Bruksel, pas lëndës së dërguar për shqyrtim nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Por, pas vendimit të Kushtetueses, kanë reaguar partitë opozitare, duke thënë se do të vazhdojnë bllokimin e punës së Kuvendit pasi, siç janë shprehur ata, nuk mund t’i besojnë Gjykatës Kushtetuese.

Kurse analistet për lajmi.net kanë vlerësuar se Opozita duhet pritur vendimin përfundimtar dhe më pastaj të marr vendime.

Analisti Mazllum Baraliu thotë se edhe opozita edhe qytetarët që kanë shprehur shqetësimet e tyre me anë të peticioneve, duhet pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Do të duhej sigurisht që të gjithë qytetarët që janë të brengosur me atë marrëveshje dhe që kanë shprehur brengen e tyre me peticion, por edhe opozita, të presin verdiktin përfundimtar dhe, tek atëherë, do të kishte vend që opozita të bllokonte parlamentin, sepse një pjesë kryesore e kërkesave të saj, siç është marrëveshja e Asociacionit, do të absorbohej nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai për lajmi.net.

Kurse sa i përket çështjes sw kufirit me Malin e Zi, ai ka thënë se opozita duhet që të pres që kjo çështje të dërgohet në Kuvend dhe më pas të diskutohet dhe të arrihet ndonjë konsensus.

Baraliu ka vlerësuar se opozita ka të drejtë të ketë dyshime në vendimet e Gjykatës Kushtetuese pasi, sipas tij, disa vendime të kësaj gjykate nga shumica e opinionit në vend janë cilësuar si vendime me ndikime politike.

Kurs, Dren Doli nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GSPJ), ka thënë se e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur problemet me të cilat ballafaqohet Kosova me dialogun me Serbinë dhe pozicionimin të etnisë serbe në Qeverinë e Kosovës, është konsensusi nacional.

Ai ka thënë se vendimi për pezullimin e përkohshëm të marrëveshjes për Asociacionin  nga Gjykata Kushtetuese duhet shfrytëzuar nga Qeveria dhe opozita për reflektim dhe mundësi për të arritur një konsensus nacional për qasjen ndaj dialogut me Serbinë.

“Opozita duhet të shfrytëzojë këtë moment politik për të argumentuar që Qeveria e ka të nevojshme që të nxjerrë  këtë përkushtim politikë të përbashkët nacional dhe që të vijën në funksion të gjitha mjetet demokratike duke përjashtuar këtu dhunën dhe pengesën e punës për institucionet”.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi  pezullimin e parime duhet të shërbejë si një moment refleksioni për opozitën dhe sidomos për Qeverinë  dhe partitë në koalicion në mënyrë që deri në marrjen e një vendimi  përfundimtar të Gjykatës të tentojë që të ndërtojë një konsensus nacional mbi atë se si do të jetë qasja e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe çfarë rëndësie duhet t’i kushtojë Kosova dialogut, duke ditur se rezultati përfundimtar i këtij dialogu po tregohet jashtëzakonisht i dëmshëm për Kosovën sidomos në sferën ndërkombëtare”,  ka thënë Doli për lajmi.net.

.