Peticioni për gratë e dhunuara nuk do të dorëzohet në OKB në këtë vit

Nënshkrimet e 115 mijë e 759 qytetarëve të Kosovës, në peticionin për gratë e dhunuara, që është nënshkruar në korrik, nuk do të dorëzohet në OKB gjatë këtij viti. Sipas organizatorëve, vonesa ka ndodhur për shkak të situatës politike që ka qenë e krijuar në Kosovë pas 8 qershorit.

Lajme

11/12/2014 07:36

Edhe pse i nënshkruar në muajin korrik, peticioni “Kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë”, nuk do të dorëzohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), gjatë këtij viti

Kanë kaluar më shumë se katër muaj, që kur 115 mijë e 759 qytetarë të Kosovës kanë hedhur nënshkrimet e tyre në këtë peticion, por ato nuk kanë shkuar në adresën e tyre, shkruan sot Koha Ditore.

Fillimisht ishte thënë se peticioni do të dorëzohej në OKB në muajin shtator, mirëpo një gjë e tillë nuk është bërë. Këtë vonesë në muajin nëntor e kishte arsyetuar kryesuesja e Bordit organizativ për nënshkrim të peticionit, Edita Tahiri.

Ajo kishte thënë se caktimi i datës për dorëzim të peticionit nuk ishte në dorën e tyre, duke theksuar se dorëzimi do të bëhet në fund të tetorit ose fillimin e nëntorit të këtij viti.