Peticion multietnik për ta sfiduar ndërtimin e shkollës në Fushë-Kosovë

Një peticion me 60 nënshkrime të banorëve të lagjes 300 të Fushë=Kosovës është dërguar në Komunën e Fushë-Kosovës, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe atë të Arsimit në përpjekjen e tyre për ta sfiduar ndërtimin e një shkolle që ka nisur në afërsi të objekteve të tyre të banimit.

Lajme

20/08/2017 19:48

Peticioni, në të cilin shihen nënshkrime edhe të banorëve serbë e maqedon, është dërguar më 24 korrik por punimet në ndërtimin e shkollës kanë vazhduar.

Një muaj më parë, KALLXO.com raportoi se një grup banorësh po e kundërshton ndërtimin e shkollës meqë, sipas tyre, vënia e shkollës në vendin e planifikuar e vështirëson lëvizjen e tyre.

Vendi ku po ndërtohet kjo shkollë, sipas banorëve, është i gabuar sepse është tejet afër ndërtesës ku ata banojnë.

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) thotë për KALLXO.com se duhet mbajtur përgjegjësi institucionale.

Shkolla, sipas banorëve, është duke u ndërtuar 4 metra larg ndërtesës ku banojnë ata. Kjo shkollë sipas tij është e papërshtatshme për banorët, për nxënësit dhe mësimdhënësit që do ta vijojnë atë. Sipas Shalës është e mundshme të gjendet një lokacion tjetër për ndërtimin e shkollës.

“Një raport i tensionuar asnjëherë nuk do të krijojë një klimë bashkëpunimi.Do t’i pengojë nxënësit do t’i pengojë banorët”, thotë Shala.

“Kur në një shkollë nxënësit apo qytetarët janë të rrethuar nga një ambient “armiqësor” që kundërshtohet nga gati 1000 qytetarë atëherë ajo shkollë nuk mund të ketë perspektivë. Madje këtu ka raste se është një problem i cili mund të eskalojë më vonë dhe mund të ketë pasoja”, shton ai.

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë (MAShT) thonë se është përgjegjësi e komunës të merret me lokacionin e shkollave.

Isuf Gashi nga Departamenti për Infrastrukturë në MAShT tha për KALLXO.com tha se ky institucion ka qenë në kontakt me komunën e Fushë Kosovës rreth çështjes së ndërtimit të shkollës në lokacionin e kontestuar.

“Jemi informuar se objekti i ri i shkollës i cili është kontraktuar nga komuna e Fushë Kosovës ka largësinë afërsisht 10 metra nga ndërtesa, nga ana që nuk ka hapje(dritare) dhe ka filluar të ndërtohet në parcelën e ndarë nga komuna dhe të aprovuar nga asambleja komunale e cila është përgjegjëse për sigurimin e  lokacionet konform planeve urbane dhe te lokacioni në fjalë ka ardhë për shkak të mbipopullimit dhe mbingarkimit me ndërtime të qytetit të Fushë Kosovës si dhe mungesës së pronave nga komuna për lokacion tjetër”, tha Gashi.

Ndërsa Fadil Maxhuni zyrtar për informim në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor tha se kjo ministri do ta përcjell ndërtimine kësaj shkolle.

“Inspektorati i MMPH-së do të përcjellë në vazhdimësi veprimet e mëtutjeshme të Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Fushë Kosovës dhe varësisht nga rrjedha do të procedojë tutje konform kompetencave dhe obligimeve që ka”, tha Maxhuni.