Peticion i kosovarëve drejt OKB-së për hetimin e përdhunimeve

Gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk janë përfshirë në raportin global të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, raport ky që del për ndodhitë në shtete të ndryshme të botës.

Lajme

07/07/2014 19:02

Përmes këtij raporti do të mund të tregoheshin edhe faktet mbi të cilat pastaj Kosova mund të kërkojë drejtësi ndërkombëtare, ndërsa pa përfshirjen në këtë raport Kosova do ta ketë vështirë të hyjë në fazën e dytë të drejtësisë ndërkombëtare, raporton KosovaPress.

Ky injorim ka shtyrë një grup të njerëzve, kryesisht personalitete të shquara të Kosovës, që të kërkojnë nënshkrimin e një peticioni drejtuar OKB-së.

Bordi i grave, të cilat kërkojnë raport zyrtar nga OKB-ja, përmban katër kërkesa. Drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara, është kërkesa e parë që ka ky grup. Gratë kërkojnë që OKB të fillojë hetimet për gratë e dhunuara dhe të dalë sa më parë me një raport zyrtar, pastaj që përgjegjësit dhe kryesit e veprave të nxirren para drejtësisë ndërkombëtare dhe të ndëshkohen. Po ashtu, ky grup kërkon themelimin e mekanizmave ndërkombëtarë të drejtësisë në mënyrën më të besueshme, kështu që të sigurohet drejtësi e paanshme për gratë e dhunuara.

Kjo kërkesë është bërë sot gjatë një takimi që kanë mbajtur të gjitha këto personalitete që në një mënyrë kanë kontribuar në ngritjen e çështjes së grave të dhunuara gjatë luftës. Bashkë me ideatoren, Edita Tahiri, gratë kanë kërkuar edhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës për nënshkrimin e këtij peticioni.

Edita Tahiri ka thënë se gratë kanë kërkuar përgjigje nga OKB-ja përse Kosova është lënë jashtë këtij raporti, duke theksuar se ky raport do të hapte rrugën që krimi gjenocidal që është bërë ndaj grave të Kosovës gjatë luftës, të njihet institucionalisht.

Çështjen e grave të dhunuara Tahiri e quajti tragjedi ndërkombëtare, duke thënë se kryesit e atyre veprave duhet të përballen me drejtësinë dhe duhet të dënohen.

Nënshkrimi i peticionit do të zgjasë 5 ditë dhe do t’iu ofrohet mundësi të gjitha qytetar;ve të Kosovës që të nënshkruhen.