Peticion: Facebook, listo qytetet e Kosovës si të Kosovës, jo si të Serbisë (Foto)

Në webfaqen për peticione “change.org”, një shqiptar nga Tirana me emrin Lavdi Zymberi, ka nisur një peticion drejtuar themeluesit të Facebook, Mark Zuckerberg, që qytetet e Kosovës të mos listohen si qytete të Serbisë.

Auto & Tek

16/11/2015 16:37

Në përshkrimin e peticionit, i cili u krijua dje, thuhet: “Kosova ka deklaruar pavarësinë e saj më 2008 dhe është vendosur në listën e shteteve në Facebook. Sidoqoftë, kur njerëzit bëjnë ‘check in’ nga qytetet e tyre, ato shfaqen si qytete të Serbisë. Ne, qytetarët e Kosovës, nuk dëshirojmë që qytetet tona të listohen nën shtetin e Serbisë kur ne bëjmë ‘check in’; kështu, dëshirojmë që Facebook ta ndryshojë këtë veçori. Vendi ynë është njohur nga 105+ shtete në mbarë botën dhe ne duam që Facebook ta respektojë këtë”, shkruan lajmi.net.

Që nga dje, 6,093 mbështetës e kanë nënshkruar këtë peticion online, dhe duhen edhe 1,407 për të arritur shifrën e 7,500.

Krijuesi i peticionit shpreson se Mark Zuckerberg do ta merr këtë parasysh dhe do ta ndryshojë listimin e qyteteve të Kosovës në rrjetin social. Ju mund ta nënshkruani këtë peticion duke klikuar këtu. (lajmi.net)