Pesë yjet që mund të largohen nga Premierliga

Premierliga përgatitet për xhiron e fundit në fundjavë. Dhe, një numër i madh i futbollistëve të mëdhenj, përfshirë disa legjenda, mund të zhvillojnë paraqitjet e tyre të fundit për klubet përkatëse. 

Sport

09/05/2014 18:45

Sezoni në Premierligë është pranë përmbylljes në fundjavë, ndërsa afati kalimtar i verës do të hapet më 1 korrik.

Një numër i madh i futbollistëve të njohur, e madje disa prej tyre të konsideruar si legjenda në klubet përkatëse, mund të thonë lamtumirat e tyre.

Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Nemanja Vidic tashmë ka konfirmuar se do të largohet në drejtim të Italisë te Inter.

Por, kush tjetër mund të zhvillojë paraqitjen e fundit në Premierligë të dielën?

John Terry

Kapiteni i Chelseas ende nuk e ka vazhduar kontratën e tij në Stamford Bridge, ndërsa vazhdon të kërkohet nga gjiganti turk, Galatasaray, që tashmë një kohë të gjatë ka shprehur interesim për transferimin e tij.

Ryan Giggs

Menaxheri i përkohshëm i Manchester Unitedit mund të vendos të pensionohet pas vërshëllimës së fundit të dielën, pas paraqitjes që bëri si rezervist në pjesën e dytë të fitores ndaj Hull Cityt të martën mbrëma.

Bacary Sagna

Mbrojtësi i Arsenalit ende konsiderohet i dobishëm nga menaxheri Arsene Ëenger, mirëpo duket se do t’i thotë lamtumirë klubit nga Emirates, në fundjavë. Ai ka hyrë në javët e fundit të kontratës së tij dhe spekulohet se kërkohet nga Paris Saint-Germain dhe Manchester City.

Rio Ferdinand

Ferdinand do të jetë futbollist i lirë në fund të këtij sezoni dhe nuk konsiderohet më i nevojshëm në Manchester United. Atij nuk i është ofruar ende mundësia e vazhdimit të qëndrimit në Old Trafford.

Frank Lampard

Mesfushori anglez raportohet se ka arritur marrëveshje për kontratë të re njëvjeçare në Chelsea, mirëpo ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar rreth kësaj. Lampard kërkohet në Major League Soccer nga Los Angeles Galaxy, dhe thuhet se është duke konsideruar opsionet e tij.