Pesë sulme ajrore kundër xhihadistëve pranë qytetit Kobane

Aeroplanë të SHBA-ve, të ndihmuar edhe nga ata të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, kryen sot dhe dje pesë sulme ajrore pranë qytetit sirian Kobane, në kufi me Turqinë, i cili gjatë disa ditëve të fundit ka qenë arenë luftimesh mes xhihadistëve islamikë dhe kurdëve.

Bota

07/10/2014 21:50

“SHBA-të dhe aleatët kanë kryer në total nëntë sulme ajrore, pesë prej të cilave pranë qytetit kurd Kobane, pranë kufirit me Turqinë”, theksoi qendra amerikane e komandimit e ngarkuar për Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore (Centcom). Në Irak, SHBA-të,  të ndihmuar nga Belgjika, kanë drejtuar katër sulme të tjera ndaj caqeve të IS.

Në sulmin te Kobane, u shkatërruan tri automjete me armë të IS. Një sulm i dytë në juglindje të Kobane shkatërroi një automjet me armë, që transportonte artileri antiajrore.

Koalicioni ka kryer gjithashtu dy sulme në perëndim të Hasakes, që kanë prekur disa ndërtesa të Shtetit Islamik.