Pesë shërbyes civilë trajnohen në europë

Pesë shërbyes civilë të Kosovës janë përzgjedhur për t’u trajnuar në universitete europiane.

Lajme

29/11/2017 12:27

Në prezantimin e Skemës së BE-së për Profesionistët e rinj në Ballkanin Perëndimor u tha se personeli i ministrive do të trajnohet në universitete prestigjioze duke e nxitur edhe bashkëpunimin me shtetet e rajonit.

Pesë punonjës të administratës publike pas përzgjedhjes do të kryejnë trajnime në “Sciences Po” në Francë dhe “College of Europe” në Belgjikë.

Arjeta Emra nga “British Council” tha se skema të shërbejë për nxitje të bashkëpunimit rajonal, veçanërisht ndërmjet shërbyesve civilë.

KALLXO.com mëson se në këtë skemë janë të përfshirë edhe shërbyes civilë nga Maqedonia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Ndërkaq Demush Shasha, sekretar në Ministrisë e Integrimit Europian, kandidatët e përzgjedhur do të marrin mësim nga dy kolegje shumë prestigjioze.

Ai sugjeroi se trajnimi i ndihmon reformës në administratën shtetërore.

“Reforma në administratën publike është një nga tri shtyllat kyçe për të përparuar në procesin e integrimit në BE-në”, shtoi sekretari Shasha.

Ndërsa Ricardo Seri nga Zyra e BE-së në Kosovë theksoi përmirësimin e efiçiencës së administratës dhe mundësinë për të kuptuar se si punojnë administratat tjera shtetërore.

“Qëllimi është që të krijohet një administratë efikase, por edhe për nga ana njerëzore që t’ua japë juve mundësinë për t’i takuar kolegët tuaj nga 6 shtete të rajonit”, tha Seri duke iu drejtuar fituesve të skemës.

Ky projekt është mbështetur nga British Council dhe Komisioni Europian dhe do të përmbyllet me konferencën rajonale në Mal të Zi në maj të 2018-ës.