Pesë muaj nga vrasja e Ivanoviqit, Tahiri: Po punojmë për gjetjen e autorëve të krimit

Më 16 janar të këtij viti, para selisë së partisë që drejtonte, u vra politikani serb, Oliver Ivanoviq. Edhe pesë muaj nga ky akt, Prokuroria ende nuk ka asnjë të dyshuar. Por ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri po shprehet optimist se ky rast do të zbardhet, me punën intensive nga Policia dhe Prokuroria.

Lajme

16/06/2018 16:30

Ministri Tahiri në një deklaratë për lajmi.net ka thënë se informatat që Serbia i ka dërguar për këtë rast, nuk kanë qenë shumë të rëndësishme.

Ndaj akzuave të shtetit serb për Kosovën, Tahiri tha se nuk ka pasur asnjë hezitim që Serbia t’ia dorëzojnë informacionet e nevojshme.

“Akuzat e tilla janë të pavërteta. Rol kryesor në këtë proces kanë policia e prokuroria. Kurse në aspektin e bashkëpunimit rajonal, ne nuk kemi hezitu që me i përcjellë gjitha kërkesat drejtuar prokurorisë serbe dhe autoriteteve serbe nëpërmjet ministrisë së Drejtësisë. Informatat që ata i kanë sjellë kanë qenë jorelevante dhe ne pavarësisht që kanë shkuar gati 5 muaj, ende personat nuk kemi mundur mi nxjerrë para drejtësisë. Institucionet tona janë duke u  marrë me rastin në fjalë, dhe jam i bindur se do të kemi rezultat në këtë hetim, dhe personat të dalin para drejtësisë”, tha fillimisht ministri Tahiri.

Tutje Tahiri e la të hapur mundësinë që përsëri Kosova të bashkëpunojë me Serbinë në zbardhjen e këtij rasti.

Ministri i Drejtësisë u shpreh i bindur se në një të ardhme të afërt, do të arrihet që vrasësit të identifikohen.

Ai paralajmëroi gjithashtu që vrasësit mund të jenë edhe në Serbi.

“Çdo gjë që e shohim të arsyeshme që mund të na nevojitet, nuk do të hezitojmë ta kërkojmë nga shteti serb. Prokuroria dhe policia po punojnë me një intensitet të jashtëzakonshëm për rastin në fjalë, dhe jam i bindur që do të arrijmë të idenfitikojmë pasi vrasësit mund të mos jenë në Kosovës, por të paktën t’i identifjkojmë të dyshuarit që e kanë kryer këtë vepër”, tha ministri Tahiri për lajmi.net.

Pikërisht gazetari serb i cili po merrej me hetimin e vrasjes së Ivanoviqit, u zhduk për disa ditë në Serbi.

Ai u gjet ditën e djeshme, në një gjendje të mirë shëndetësore. E as për këtë serbët nuk hezituan ta gjuajnë fajin te Kosova.

Presidenti serb, Vuçiq tha se gazetarit serb i ishin bërë disa thirrje telefonike.

Prokuroria e shtetit disa herë kishte bërë të ditur se deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar për rastin në fjalë. /B.B/Lajmi.net/